Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar politikanin dhe intelektualin Xhemajl Mustafa në 23-vjetorin e vrasjes.
Osmani tha se Mustafa ishte “më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi”.
Derisa theksoi se vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë.
“Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur. Autorët duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do të jetë i përhershëm!”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje në nderim të 23-vjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ky minutë heshtje bëhet në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka përkujtuar babain e tij, Xhemajl Mustafën në një postim në Facebook.
Xhemajl Mustafa, që ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.