Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë të tjera detaje për dosjen e fundit të SPAK, ku në pranga kanë rënë ish-drejtori i Policisë Erzen Breçani, si dhe shefi i krimeve në komisariatin numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni
Nga përgjimet e ‘SKY’ u zbulua grupi kriminal ku mes tyre është djali i Breçanit, si dhe një tjetër emër i njohur për policinë, Ervin Mata.
E ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Open” ajo deklaroi se nga përgjimet duket se kreu i bandës kriminale është Ervin Mata. Sipas Lalës, ai duket se e urdhëronte djalin e Breçanit, i cili është i martuar me motrën e Matës.
Po ashtu Lala tha se Mata është një person me lidhje shumë të forta, madje me lidhje edhe me politikën në vend, ku thuhet se ka investuar paratë në disa biznese
“Ervin Mata nuk është personazh i thjeshtë, pjesën më të madhe e kalon në Peru që ka lidhje të forta në vendet e BE, jo vetëm me kartele… ai ka pasur këtu dhe mbështetje politike, ai ka investuar paratë në biznes. Ai ka lëvizur në disa vende. Këtë verë në informacionet që kam, ka ardhur në Shqipëri, por nuk ishte i kërkuar”, tha ajo.