Abdixhiku: Smajl Hajdaraj është vetë historia triumfuese e Republikës së Kosovës

by Nexhat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, me familjen Hajdaraj dhe bashkëpunëtorë, zbuluan shtatoren e veprimtarit të madh, Smajl Hajdaraj, në Pejë.

Abdixhiku tha në këtë ditë të veçantë për çdo shqiptar kudo që jeton, 28 Nëntori që është dita e flamurit shqiptar, po përurohet shtatorja e një burri të madh shqiptar, Smajl Hajdaraj.

banner

Kreu i LDK-së, Hajdarajn e quajti Rugovist shembullor, patriot, veprimtar, intelektual, deputet, luftëtar të paepur, bashkëpunëtor të ngushtë të Presidentit Rugova, dhe Hero të Kosovës.

“Veprimtaria e tij ushtarake e politike e bëjnë atë personalitet qendror në historinë e rrugëtimit të shenjtë për liri, pavarësi e demokraci. Ai është vetë historia triumfuese e Republikës së Kosovës. Ai është vetë gur themeli i fortë i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku po ashtu citoi një pjesë nga testamenti i fundit i Smajl Hajdarajt, i shkruar nga ai rreth një muaj para vrasjes së tij.

“Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare. Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë. Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm”, thotë në fund të letrës, Heroi Smajl Hajdaraj.

“Smajl Hajdaraj sot u kthye në Pejë. Jo vetëm si nderim i veprës si tij, por si rikujtim për gjithë brezat e ardhshëm për sakrificën e madhe që populli i Kosovës, burrat e gratë më të devotshëm të kombit kanë bërë. Nga sot, qyteti i Pejës, dhe e gjithë Kosova, do të kenë një vend më shumë nderimi për të shkuarën, një vend më shumë rikujtimi për të ardhmen”, përfundoi kryetari Abdixhiku

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy