PDK e LDK kërkojnë nga qeveria t’i plotësojë kërkesat e policisë

by Nexhat

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar nga qeveria të plotësojë kërkesat e policisë, për sigurimet shëndetësore, shtesat, pagesën e rrezikshmërisë dhe pensionimin e parakohshëm.

Në Kuvendin e Kosovës në seancën e re plenare, pas përfundimit të debatit për Raportin e Progresit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përgëzoi aksionin e sotëm të policisë për arrestimin e katër personave dhe neutralizimin e një të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.

Ai në deklarimet jashtë rendit të ditës nënvizoi nevojën që ekzekutivi në kuadër të projekt-buxhetit për 2024 të përfshijë kërkesat e policisë.

“Ky aksion i policisë së Republikës së Kosovës tregon një gjë që i duhet përkrahje nga Qeveria dhe Kuvendi. Sot, pamë një profesionalizëm të lartë të njësive të specializuara të policisë, andaj është mirë që kërkesat e tyre që i kanë shtruar, si për sigurimet shëndetësore, si për shtesat t’i përfshijnë në buxhetin e Kosovës”, tha ai

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi shprehu mbështetjen ndaj policisë, derisa tha se vendi po kalon në një situatë të vështirë në aspektin e sigurisë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pas një situatë të vështirë në aspektin e sigurisë, ku si rrallë herë në Kosovë kemi pa një grabitje të armatosur të stilit banditesk dhe një paraqitje të forcës së grupeve kriminale. Kjo shfaqje e dhunës është një moment i alarmit dhe shqetësimit për të gjithë ne si institucione, pa marrë parasysh në cilën parit jemi. Po ashtu, në njëjtën kohë përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm sot”, theksoi Gashi.

Megjithëse pa praninë e shumicës së deputetëve të mazhorancës, kryeparlamentari Glauk Konjufca vazhdoi seancën duke shqyrtuar pikat e tjera të rendit të ditës, ku deputetët e PDK-së dhe LDK-së kundërshtuan Projektligjin për Fondin Sovran, derisa paralajmëruan se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy