Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sonte në Dubai se nuk mendon se është e mundur që Marrëveshja e Ohrit në tërësi të bëhet pjesë e Kapitullit 35 në negociatat ndërmjet Beogradit dhe BE-së, sepse në këtë mënyrë BE do ta mbyllë derën për Serbinë.
Siç transmeton “Danas“, lidhur me njoftimin se BE-ja do t’i kërkojë zyrtarisht Komisionit Evropian që detyrimet nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe aneksi për zbatimin e saj të bëhen pjesë e negociatave të anëtarësimit, Vuçiq tha se “ai bën nuk besoj se do të merret një vendim i tillë”.
“Unë nuk mendoj se është e mundur që (Marrëveshja e Ohrit) të jetë pjesë e kapitullit 35 të negociatave në tërësi, sepse kjo do t’i mbyllte derën Serbisë. Nëse thoni se anëtarësimi i Kosovës në OKB është pjesë e atij kapitulli, atëherë është e qartë se nuk e doni Serbinë… Nuk besoj se është e mundur dhe nuk besoj se do të marrin një vendim të tillë”, tha Vuçiq, pas pjesëmarrjes në konferencën ndërkombëtare të klimës COP28UAE, transmeton Informim.net
Në projekt-konkluzionet për samitin e dhjetorit të Këshillit Evropian, në të cilin Radio Evropa e Lirë kishte qasje, thuhet se “Këshilli i kërkon Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë (Joseph Borrell) të propozojnë urgjentisht, para fundit të janarit 2024, ndryshimin dhe plotësimin e kritereve për kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë”.
Konkluzionet duhet të miratohen nga ministrat për çështjet evropiane në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 12 dhjetor dhe Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë atë vendim në samitin e 14 dhe 15 dhjetorit.
Liderët e Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq dhe Kurti, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, kurse më 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të atij dokumenti.
Në ato dokumente thuhet se ato bëhen pjesë përbërëse e kuadrit të negociatave në procesin e anëtarësimit në BE dhe se mosrespektimi i detyrimeve që rrjedhin prej tij mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative në rrugën evropiane të secilës palë.
“Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Palët pranojnë që menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, BE-ja do të fillojë procesin e ndryshimit të kritereve për Kapitullin 35 për Serbinë për shkak të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks”, thuhet në Aneksin Zbatues të rënë dakord në Ohër.