Shqiptaro-amerikani Marko Kepi, ishte i ftuar këtë të shtunë në Euronews Albania, ku zbuloi se ai do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për të zënë një vend në senatin e shtetit të New York-ut.
Kepi tha se beson që shqiptarët do ta votojnë për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet në politikën amerikane. Ai shtoi se nëse komuniteti shqiptar ka një përfaqësues në senatin e New Yorkut, atëherë mund të marrin fonde për aktivitet shqiptare dhe ngritjen e qendrave komunitare në mënyrë që të mos asimilohen.
“Patjetër shqiptarët do më mbështesin. Herën e fundit që kemi regjistruar shqiptarët për të votuar brenda Partisë Republikane, 90% e tyre ishin demokratë, por e ndërruan partinë vetëm që të votonin një shqiptar. Nëse nuk ka primare, zgjedhjet në seantin e New York-ut do të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale. Zëri im do sjellë zërin që shqiptarët janë këtu. Nëse nuk e kemi një përfaqësues në politikën amerikane këtu zëre se nuk ekziston. Nëse nuk e ke një përfaqësues e ke të vështirë të marrësh fonde për aktivitetet shqiptare dhe e ke të vështirë të krijosh një qendër për komunitetin shqiptar. Kanë qenë komunitete më të mëdha se ne dhe janë asimiluar pasi nuk kanë mundur dot t’i ndërtojnë këto qendrat”, tha Kepi.