Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.
Përmes një postimi në Facebook deputeti opozitar i LDK-së, ka thënë se Qeveria nuk i mori parasysh sugjerimet e opozitës.
”Me kohë u kemi thënë, qysh në vitin 2022 kur inflacioni ishte në kulm, se: (1) duhet të indeksohen pensionet dhe asistenca sociale për t’i mbrojtur familjet nga rënia e fuqisë blerëse dhe thellimi i varfërisë; dhe (2) duhet të ulet TVSH-ja nga 18% në 8% për plot mallra shtesë që janë elementare për konsumin e familjes. Nuk i morën parasysh këto propozime, vetëm sepse erdhën nga opozita”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, si rezultat i politikave të gabuara ka edhe pasoja, duke thënë se varfëria është shtuar.
“Si rezultat, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38% në vitin 2021. Tani shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë. Problemi në afat të gjatë do ishte zbutur nëse do të indeksoheshin me kohë pensionet dhe asistenca sociale për normën e inflacionit”, ka thënë Hoti.