Takimi “online”, Lajçak tha se u pajtuan për “hapat e mëtejshëm”, Bislimi s’e përmend Asociacionin

by Nexhat

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dje pati një takim “online” me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak tha se me Bislimin diskutuan për një listë të çështjeve të dialogut dhe se u pajtuan për hapat e mëtejshëm.

banner

“Realizuam një video-konferencë të detajuar me Bislimin sot, për një listë të çështjeve të Dialogut. Ramë dakord për vazhdimin dhe hapat e mëtejshëm”, shkroi ai të mërkurën në “X”.

Ndërkohë, Bislimi tha se ishin rreth 10 çështje për të cilat foli me Lajçakun, por s’e përmendi Asociacionin

“Në takim kemi trajtuar një sërë temash, diku 10 sosh, që kanë të bëjnë ose me marrëveshjet ekzistuese ose me hapat e ardhshëm që mund të ndërmarrim. Për shembull, te marrëveshja e energjisë ecila u nënshkrua të premtën nga ana e KEDS-it dhe Elektroseverit, u diskutua se si do të fillojë problemi i inkasimit nga data 1 janar dhe hapat që duhet ndërmarrë”, tha ai të mërkurën në një intervistë në RTK.

“Po ashtu diskutuam edhe për hapat që mund të ndërmarrim bashkërisht që të kujdesemi që të gjejmë fonde për mbulimin e devijimeve të deritanishme të KOSTT-it në mënyrë që të mos ngarkohet buxheti i shtetit”, tha Bislimi.

Më pas, tha se diskutuan edhe “për çështjen e targave”.

“Pati përgëzime për palën kosovare që e ka menaxhuar këtë proces jashtëzakonisht mirë dhe diskutuam për hapat e tjerë që duhet të ndiqen”, tha Bislimi.

“Diskutuam po ashtu edhe për pritjet tona që mbase shumë shpejt të dakordohemi edhe për largimin e plotë të stickersave apo letrave ngjitëse”, tha ai.

Një prej çështjeve tjera që u diskutua, Bislimi tha se ishte edhe ajo e zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi.

Zëvendëskryeministri nuk njoftoi në rrjetet sociale për diskutimin e djeshëm me emisarin e BE-së

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy