Qeveria e Kosovës ka vendosur për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Ky qëllim shpjegohet nga qeveria si vendosje dhe zbatim i ligjshëmrisë në të gjithë territorin e Kosovës. Më 17 dhjetor në Serbi mbahen zgjedhjet parlamentare, të tretat me radhë vetëm brenda tre vjet e gjysmë.
Serbia i drejtohet OSBE jo qeverisë kosovare
Autoritetet e Serbisë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë, por jo Prishtinës zyrtare, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. E pikërisht pse kërkesa serbe ju drejtua OSBE-së e jo Prishtinës për ta shqyrtuar atë, bëri që Qeveria e Kosovës pa asnjë hezitim të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryengociator në dialog me Serbinë, thotë se “tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut dhe pa një kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim”.
“Nuk janë planifikuar zgjedhje këtë vit në shtetin tonë. Nëse autoritetet e shteteve të tjera preferojnë të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë, duhet që zyrtarisht t’i kërkojnë autoriteteve tona një vendim pozitiv dhe përkrahje. Tentimi për të organizuar zgjedhje pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuojnë ndërtimit të besimit”, ka thënë Besnik Bislimi.
BE me kritika ndaj Kosovës
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, patën konsideruar se vendimi i Prishtinës për “të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk është në përputhje me frymën e dialogut dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja i pati rekomanduar Kosovës që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare.
“Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit. Ky vendim, nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, pati thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.
Serbët e Kosovës që kanë dy shtetësi, do të mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi edhe nga Kosova, por vetëm përmes postës, apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Kosovë.
Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë, njoftoi se më 17 dhjetor, serbët nga Kosova mund ta ushtrojnë të drejtën e votës edhe në qytetet kufitare të Serbisë, Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Në zgjedhjet e fundit në Serbi, në prill të vitit të kaluar, të drejtë vote kishin mbi 93 mijë qytetarë nga komunat e Kosovës. Por tash sipas të dhënave nga Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, kësaj radhe ka gati mbi 30.000 votues më shumë, përkatësisht mbi 120 mijë. Në të kaluarën zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur edhe në Kosovë ku përfshihej misioni i OSBE-së në grumbullimin e votave të cilat më pas janë dërguar për numërim në Serbi.
Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës më herët. Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se megjithatë, ai mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, ashtu sikurse ka vepruar edhe në rastet e mëparshme.Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020. Këto zgjedhje ishin mbajtur që nga viti 2017, ku në Kosovë hapeshin qendra votimi për serbët që ndihmoheshin nga OSBE-ja.
Por, kësaj radhe serbët e Kosovës që kanë dyshtetësi, mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi, por, vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse Serbe në Kosovë, apo përmes postës. Me 1 nëntor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare më 17 dhjetor, zgjedhje këto të tretat me radhë në Serbi vetëm në tre vjet e gjysmë.
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ndodh në një periudhë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian./Dë