Eurodeputetja Viola von Cramon ishte pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian që vëzhguan zgjedhjet në Serbi.
Ajo ka listuar disa nga parregullësitë që u kryen në këtë proces, duke thënë se është pritur një respektim më i lartë i standardeve demokratike nga një vend kandidat i BE-së.
“Unë kam qenë anëtare e Delegacionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parlamentit Europian në Serbi ku së bashku me kolegët e mi kanë vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare nacionale. Zgjedhjet serbe u mbajtën në kushte të pabarabarta dhe u zhvilluan me parregullsi të shpeshta në ditën e zgjedhjeve dhe para saj, si keqpërdorimi i burimeve administrative, blerja e votave dhe cenimi i fshehtësisë së votës”.
Ajo tha se ishin dëshmitarë që u sollën votues nga etniteti i Republikës Srpska nga Bosnja e Hercegovina.
“Ne pamë raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat në BE, i cili negocion anëtarësimin në BE”.
Von Cramon shkroi se “nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”.
“Parlamenti Europian është i gatshëm të ndërmjetësojë mes partisë në pushtet dhe opozitës në Beograd për të siguruar dialogun paqësor dhe demokratik dhe për të ulur tensionet”.