Kryeministri Albin Kurti ka bërë një propozim se kur mund të nënshkruhet Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se kjo mund të bëhet në Samitin e Këshillit Evropian, që mbahet më 21 e 22 mars të vitit 2024,
“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Në këtë postim, Kurti i është kundërpërgjigjur edhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili në një intervistë për Gazetën Express tha se draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët nuk ka nevojë të nënshkruhet, meqë “është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës”.
Kurti ka thënë mund mund ta shkruajë një draft modern evropian në konsultim me ministrat e tij, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi, “meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës”.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti.