Qytetarët e Kosovës nga 1 janari do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Por të njëjtit do të duhet që të ndjekin disa rregulla gjatë udhëtimit të tyre. Qytetarët që nuk do t’i përfillin rregullat do të përballen me pasoja
Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës ka publikuar pasojat që i presin qytetarët në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza.
“Nëse ju qëndroni në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) atëherë ju jeni i/e pranishme në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të udhëtimit në zonën Shengen”, thuhet në njoftimin e kësaj faqeje.
Tutje në njoftim thuhet se të punohet në zonën Shengen pa leje pune është gjithashtu e paligjshme (edhe nëse është më pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen
“Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative dhe financiare. Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare dhe shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite”, thuhet tutje në njoftim.