Faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor kanë nxitur reagime të ashpra te qytetarët dhe spektri politik. Ndonëse nuk është njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike, faturat e rrymës për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar. Kjo ka nxitur dyshime të shumta nga qytetarët për vjedhje në këto fatura. Për këtë arsyeje i është bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këtë çështje, ndërsa nëpër rrjete sociale është bërë thirrje për organizimin e një proteste.
Ndër të parët që ka kërkuar hetim të kësaj çështje ka qenë KMDLNj. Valentina Demolli nga KMDLNj ka thënë se me urgjencë duhet të nis një hetim i tillë.
“Ne përveç se i kemi kundërshtuar ne iu kemi bërë thirrje dhe institucioneve përgjegjëse, përfshirë dhe Prokurorinë e shtetit që realisht me urgjencë të nisin hetimet dhe të shqyrtoj më në saktësi se si ka ardhur deri te kjo fryrje enorme elektrike, shtuar këtu faktin që nuk ka pasur rritje të çmimeve të energjisë elektrike , e kësaj i ndihmon fakti që edhe koha, domethënë se nuk ka qenë edhe aq ftoftë që do te mund qytetarët të shfrytëzonin më tepër energji e që do të mund të qonte tek rritja e konsumit të energjisë elektrike”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.
Edhe ish-ministri Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, i ka parë me dyshime faturat e muajit dhjetor. Ai ka vlerësuar se këtu mund të bëhet fjalë për krim të organizuar.
“Ky është një lloj krimi i organizuar që herët apo vonë do të kthjellet dhe do të shohim se çka po ndodh në këtë sektor. Tendenca për ta shfajësuar një strukturë dhe për ta lënë barrën te një strukturë tjetër ose e kundërta, këtu nuk vlen shumë sepse ne e dimë që qeveria e bën emërimin edhe të pozitave kyçe në bordet e caktuara e edhe te strukturat tjera, kështu që këto bëhen të koordinuara dhe me ndërhyrje. Pa pëlqimin e qeverisë e ministrisë përkatëse nuk guxon të ndodhë asnjë veprim në këtë sferë dhe në mënyrë të pavarur”, deklaroi Shatri për Klan Kosovën.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar reagimin e Avokatit të Popullit.
“Ai, pikërisht sot do të duhej që të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe madje të zbardhte edhe fakte mbi trajtimin diskriminues të qytetarëve në pagesat e kësaj energjie. Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Thirrje për protestë
Krahas thirrjes për hetim nga organet e rendit është bërë thirrje edhe për organizimin e një proteste për këtë çështje. Njohësit e rrethanave politike kanë drejtuar gishtin nga Qeveria Kurti.
Analisti Valon Syla ka bërë me dije se shtrenjtimi i rrymës është 300 për qind më i lartë që nga vitit 2021. Ai ka vlerësuar se protesta është pak për këtë çështje.
“Protesta është pak për këtë dëm. As dorëheqja nuk mjafton. Hetim për importin e energjisë multimilionëshe dhe ndalimin e projekteve energjetike prej ‘Kosovës së Re’, e deri te projektet euro – amerikane të gasit duhet të fillojnë. Pra nga Martin Berisha e Nagip Krasniqi i burgosur e deri te Ministrja Rizvanolli, Murati dhe Kryeministri Kurti.”, ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook”.
Edhe analisti tjetër, Astrit Gashi ka kërkuar që të hetohet KEDS për faturat e rrymës.
“HETIM NDAJ KESCO PER FATURAT E RRYMES! Faturat jane ekstremisht te fryera. Ka shume mundesi qe kjo eshte bere pershkak te leximit te qellimshem mashtrues, si shembull duke bartur kilovat nga nje muaj nje tjetrin. Jo vetem ZRRE dhe Kuvendi por edhe Prokuroria e Kosoves duhet te nise urgjentisht nje hetim te KESCO, qe te zbardhet nese kishte mashtrim apo jo. Shteti i Kosoves duhet ti mbroje qytetaret, jo investitoret qe mund te bejne mashtrime.”, ka shkruar ai.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë vetëm gjatë mandatit të Qeverisë Kurti tarifa e energjisë elektrike është rritur 3 herë.
“Tarifat e energjisë elektrike, herën e fundit, janë rritur nga prilli i këtij viti. Para kësaj, ishin rritur edhe dy herë të tjera. Pra gjithsej 3 herë për 3 vjet. Gjendja e tanishme është produkt i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend. Siç dhe thoshin vet, ‘qytetarët po shpenzojnë shumë sepse rryma është e lirë’. Do të gjejnë arsyetime; do të ju mbushin me ankesa, nga privatizimi e deri tek luftërat nëpër botë, por e vërteta e vetme është si më poshtë. Paaftësia kushton! Shiheni vet”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.