BE-ja thotë se themelimi i Asociacionit “pritet të fillojë së shpejti”, ndërkaq kryeministri i Kosovës tha se shansi që kjo të ndodhte humbi më 26 tetor në Bruksel, ku ai ishte takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni kur ata i kishin folur për urgjencën e kësaj çështjeje dhe presiden që Albin Kurti të lëvizë në këtë drejtim.
Bashkimi Europian po pret lëvizje nga Kosova, pasi mirëpriti vendimin e fundit të Serbisë për t’i njohur targat e automjeteve të lëshuara nga shteti të cilin nuk e njeh zyrtarisht.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i tha Expressit të martën se Unioni “tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”. Më vonë gjatë ditës, zëdhënësja e BE-së, Nabila Masrali i tha gazetës se draft-statuti që i është paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në tetor është “mënyra më e mirë e mundshme për të adresuar ndjeshmëritë e të dyja palëve” dhe se tani është faza e avancuar e procesit ku “pritet të fillojë së shpejti themelimi i Asociacionit”.
“Siç e kemi thënë shumë herë më parë, projekt-statuti europian, i cili i është paraqitur kryeministrit Kurti më 21 tetor nga emisari Lajçak dhe këshilltarët kryesorë diplomatikë të presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministres italiane, së bashku me emisarin Escobar të SHBA-së, paraqet një mënyrë moderne europiane se si të trajtohet çështja e ndjeshme e mbrojtjes së pakicave. BE-ja dhe partnerët e saj besojnë se është mënyra më e mirë e mundshme për të adresuar ndjeshmëritë e të dyja palëve. Ne presim që të dyja palët të vazhdojnë diskutimet mbi bazën e këtij drafti. Kosova ka pasur mundësinë që në 10 vitet e fundit të paraqesë një propozim për Asociacionin. Në këtë fazë të avancuar të procesit ku pritet të fillojë së shpejti themelimi i Asociacionit, Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e tyre për draftin në tryezë”, tha Masarli.
Përgjigjja ishte specifikisht për Kurtin, i cili para pak ditësh shprehu gatishmërinë që në vitin e ardhshëm ta shkruajë një draft-statut për Asociacionin, duke i reaguar kështu emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili tha se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.
“Draft-statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiqi). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajçak, meqë draftstatuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja presin që ai të lëvizë drejt formimit të Asociacionit mbi bazën e propozimit europian, Kurti tha se shansi humbi në natën e 26 tetorit, kur ai zhvilloi në Bruksel një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.
“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja”, tha Kurti sot në një konferencë për media, ku u pyet sërish për Asociacionin.
“Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia”, tha ai.
“Ajo ishte një shansë e madhe. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, shtoi Kurti.
Kryeministri tha se më 18 mars, kur ishte marrë vesh me Vuçiqin në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionin “me tri principe”. “Por m’u tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen”, tha Kurti.
Miroslav Lajçak, ndërmjetësi i përhershëm i takimeve ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit dhe i takimeve të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, së fundmi u paraqit më i kënaqur me procesin, duke përmendur se ka progres në normalizimin e marrëdhënieve.
Por kryeministri i Kosovës tha se “Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike” dhe se kjo është “pengesë kapitale për normalizim”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u intensifikua këtë fundvit, ndërsa Bislimi dhe Petkoviq shumë shpejt pritet t’i kthehen angazhimit në bisedime. Ata u takuan në nëntor në Bruksel, pasi Kurti në tetor ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit, sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë po atë muaj.