Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka arritur mbrëmë në Kosovë dhe është pritur në aeroport nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sot, gjatë ditës, Varadkar do të mbajë takim me kryeministrin Albin Kurti dhe më pas me presidenten Vjosa Osmani.
Varadkar në takimin me Kurtin do të pritet me ceremoni shtetërore, ndërsa takimi zhvillohet në orën 09:30. Më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Ndërsa në ora 11:00, kryeministrin irlandez do ta pritet nga presidentja Vjosa Osmani
Kjo është hera e parë që një kryeminister irlandez viziton Kosovën.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike.
“Nga data 10 deri më 11 janar 2024, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kryeministri i Irlandës, zotëri Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues. Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka shtuar se për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.