Izraeli hodhi poshtë të premten si të rreme dhe “të shtrembëruara rëndë” akuzat e paraqitura nga Afrika e Jugut në gjykatën e lartë të OKB-së me pretendimet se operacioni i tyre ushtarak në Gaza është një fushatë gjenocidi e udhëhequr nga shteti Izraelit kundër palestinezëve.
Duke argumentuar se po vepronte për të mbrojtur veten dhe po luftonte Hamasin, jo popullsinë palestineze, Izraeli i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që ta hedhë poshtë çështjen si të pabazë dhe të refuzojë kërkesën e Afrikës së Jugut.
“Ky nuk është gjenocid,” tha avokati Malcolm Shaw.
Afrika e Jugut i tha gjykatës të enjten se ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit – e cila ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës dhe ka vrarë pothuajse 24,000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës – synonte të sillte “shkatërrimin e popullsisë” të Gazës.
Por Izraeli i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se respektonte ligjin ndërkombëtar dhe kishte të drejtë të mbrohej.
“Nëse ka pasur akte gjenocidi, atëhere ato janë kryer kundër Izraelit,” tha Becker. “Hamasi synon të kryej gjenocid kundër Izraelit”.
Konventa e Gjenocidit e vitit 1948, e miratuar pas vrasjes masive të hebrenjve në Holokaustin nazist, e përkufizon gjenocidin si “akte të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.
Izraeli, argumentoi ekipi i tij i mbrojtjes, po bënte gjithçka që mundej për të lehtësuar vuajtjet humanitare në Gaza, duke përfshirë përpjekjet për të nxitur palestinezët që të evakuoheshin.
Gjykata pritet të vendosë në fund të këtij muaji për masat e mundshme emergjente – duke përfshirë kërkesën e Afrikës së Jugut që të urdhërojë Izraelin të ndalojë ofensivën e tyre.
Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe pa ankim, por gjykata nuk ka asnjë mënyrë të mundur për t’i futur ato në zbatim.
Mbështetësit palestinezë me flamuj marshuan nëpër Hagë dhe ndoqën punimet në një ekran gjigant përpara Pallatit të Paqes. Ndërsa delegacioni izraelit foli në gjykatë, ata brohorisnin: “Gënjeshtar!
E pyetur se çfarë mendonte për argumentet e Izraelit se fushata e Gazës ishte një çështje vetëmbrojtjeje, Neen Haijjawi, një palestineze që erdhi kohët e fundit në Holandë tha: “Si mundet që një pushtues që po shtyp njerëzit për 75 vjet të thotë se është vetëmbrojtje?”
Mbështetësit izraelitë po mbanin një mbledhje të veçantë të anëtarëve të familjeve të pengjeve të marra nga Hamasi.
Izraeli ka thënë se Afrika e Jugut po vepron si zëdhënës i Hamasit islamik, i cili është cilësuar si një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe disa vende të tjera. Në anën tjetër Afrika e Jugut e ka hedhur poshtë këtë akuzë.
Që kur forcat izraelite filluan ofensivën e tyre, pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre të paktën një herë, duke çuar në një katastrofë humanitare.
Afrika e Jugut pas aparteidit ka mbrojtur prej kohësh kauzën palestineze, një marrëdhënie e krijuar kur lufta e Kongresit Kombëtar Afrikan kundër sundimit të pakicës së bardhë u mbështet nga Organizata për Çlirimin e Palestinës së Yasser Arafat.
“Gjyshi im gjithmonë e konsideronte luftën palestineze si çështjen më të madhe morale të kohës sonë,” tha Mandla Mandela, një nip i presidentit të ndjerë të Afrikës së Jugut Nelson Mandela, në një tubim në mbështetje të palestinezëve në Cape Toën./Reuters