Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka hedhur akuza të rënda për presidentin e vendit të tij, Aleksandër Vuçiq.
Ai, në “Debat Plus”, tha se Vuçiq është “fëmijë politik” i Vojslav Sheshelit dhe se po ashtu është njeri besnik i Rusisë së Putinit.
“Vuciq është fëmijë i Sheshelit… në Serbi, Vuciq i është ofruar shërbimit informativ të federatës ruse. Para disa viteve, Putin i ka ndarë medalje Vuciqit. Sipas ligjeve të federatës ruse, kjo medalje mund të jepet vetëm pas 20 vjetëve kontribut për Rusinë. Vuciq e ka plotësuar këtë kush të Rusisë, që i bie se ai 20 vjet më herët ka qenë njeri i Rusisë, i Putinit, i KGB-së”, tha ai.
Tutje, ai tha se Vuciq ka shpresuar që Rusia të ketë sukses në Ukrainë, në mënyrë që ta ketë pastaj të lehtë që të hyjë me ushtri në Kosovë.
Stojkoviq, në “Debat Plus” ka deklaruar se klienti i tij, Nikolla Sanduloviq, i ka treguar se në torturimin e tij kanë marrë pjesë serbë lokalë të Kosovës.
Ai tha se Sanduloviq do të flasë vetë për këtë çështje, por sipas informatave që ai ia ka dhënë, pjesë e torturimit të tij mund të ketë qenë edhe Millan Radojçiq.
“Sanduloviq më ka thënë se sipas theksit të njerëzve ka njohur serbë të Kosovës. Këta janë serbë të cilët janë klane që udhëheq Radojciqi. I ka identifikuar disa, disa i ka njohur, këtë do ta thotë ai”.
“Disa i ka njohur, disa nuk ka mbajtur maska, të tjerët kishin vendosur maska. Besoj kur do të shërohet, do të shpalosë fakte për këtë. Edhe unë i njoh, por mendoj se ai duhet t’i shpalosë”.
“Sipas asaj që më ka thënë Sanduloviq, kjo dërgon te ai [te Radojçiqi]”, tha ai.