39 mijë qytetarë aplikuan për pasaporta, Agjencia për Regjistrim Civil në gjendje të jashtëzakonshme

by engel

Afër 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës që nga 3 janari e deri tash. Ky numër po konsiderohet mjaft i madh në Agjencinë për Regjistrim Civil, ku thonë se po punojnë në kushte të jashtëzakonshme. Sipas tyre, për shkak të fluksit të madh, qytetarët do të duhet të presin më shumë se 30 ditë për t’u pajisur me pasaportë.

Në Agjencinë për Regjistrim Civil, thonë se vonesa për më shumë se një muaj për t’u pajisur me pasaportë, po ndodh për shkak se prodhimi nuk po mundet të zë hapin e aplikimeve.

banner

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, ka thënë për KosovaPress, se i kanë ngritur të gjitha kapacitetet për të pajisur qytetarët me pasaporta, për shkak se janë në gjendje të jashtëzakonshme.

Camaj u shpreh se qytetarët duhet të presin 30 ditë që të marrin pasaportat, pasi që janë në situatë të jashtëzakonshme nga fluksi i madh i aplikimeve.

Sipas tij, edhe qytetarët serbë janë duke aplikuar për pasaporta të Republikës të Kosovës.

Përndryshe, zyrtarë në Aeroportin e Prishtinës, kanë njoftuar se nga data 1-15 janar 2024, nga 1-15 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023.

“Kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhëtarë më shumë”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit.

Kurse, drejtuesit e institucioneve po mundohen të mohojnë daljen e qytetarëve të Kosovës në vende të ndryshme pas liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka shkruar se sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më 19 janar, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë.

“Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njëjtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar”, ka shkruar ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy