Ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak deklaroi se Izraelit i duhen zgjedhjet për të shmangur “zhytjen në baltën e Gazës”. Ai tha se Izraeli nuk mund të shpallë fitoren pa shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit. “Izraeli nuk mund të shpallë fitoren pa shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Por, që Hamasi të fitojë, ai thjesht duhet të mbijetojë. Edhe nëse Izraeli vret (udhëheqësin e Hamasit në Gaza, Yahya) Sinwar, ata përsëri do të mbijetojnë. Mënyra e vetme për të dalë nga konflikti janë zgjedhjet e menjëhershme”, thotë Barak në një intervistë për the telegraph.
Ish-kryeministri, i cili gjithashtu ka shërbyer më parë si ministër i Mbrojtjes dhe shef i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), thotë se ka një “vakum lidershipi” në Izrael, duke fajësuar kryeministrin aktual, Netanyahu për refuzimin e “një kërkese të qartë që vjen nga kabineti i brendshëm” për të diskutuar dhe shqyrtuar planet e pasluftës për Rripin e Gazës.
Barak iu referua rolit të anëtarëve të së djathtës ekstreme izraelite, ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrit të Sigurisë së Shtetit, Itaman Ben Gvir, për refuzimin e marrëveshjes me dy shtete, duke e ditur se nëse Netanyahu do të pranonte negociata të tilla, ai do të humbiste ndaj krahut të djathtë. “Të gjitha sondazhet tregojnë se 80 për qind e të rriturve, përfshirë shumicën e partisë së tij, Netanyahun e shohin si njeriun kryesor për gjithë këtë dështim. Rreth gjysma prisnin që ai të jepte dorëheqje menjëherë pas 7 tetorit. Atë ditë, Netanyahu humbi plotësisht besimin e publikut”, ka përfunduar ai.
Barak, i cili më parë shërbeu në një koalicion me Netanyahun në vitin 2011, që atëherë është bërë një kritik i ashpër i kryeministrit dhe ishte një figurë e zëshme në protestat e vitit të kaluar mbi riorganizimin e gjyqësorit. Ai vazhdimisht ka bërë thirrje për mosbindje civile, gjë që ka sjellë dënime të ashpra nga figurat e koalicionit.