Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka folur sërish për temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Duke dhënë mendimin e saj për këtë çështje, ajo ia ka ofruar edhe një “këshillë” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që e udhëheq procesin e dialogut për palën kosovare.
Kësisoj, Tahiri është shprehur se Kurti duhet ta kushtëzojë Asociacionin, me ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, duke e hequr Kosovën si pjesë të saj, transmeton Paparaci.
“Meqenëse Serbia nuk dëshiron të dëgjoj për Kushtetutën e Kosovës siç po thotë Kurti, atëherë Kurti duhet ta kushtëzojë asociacionin me ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë duke hequr Kosovën si pjesë të saj”, shkroi ajo të martën në Facebook.
Tema e Asociacionit vazhdimisht është përfolur, veçmas kohëve të fundit. Aleatët ndërkombëtarë po kërkojnë nga Kosova që ta formojë dhe zbatojë Asociacionin.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës është e mendimit se një asociacion me kompetenca ekzekutive është një “Republika Srpska” e re në Kosovë.