PDK: Rritja e barrës tatimore po i varfëron qytetarët

by informim

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka thënë se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën ai ka thënë se kjo nismë është ndërmarrë “pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës”.

banner

“Kjo rritje e barrës tatimore erdhi në kohën kur mirëqenia e qytetarëve u rëndua së tepërmi për shkak të rritjes së çmimeve. Pra, në kushtet kur norma e rritjes së çmimeve arriti nivele të papara në historinë e re të Kosovës, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe shumë familje rrezikojnë të lëvizin drejt pragut të varfërisë, është absolutisht e papranueshme që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e tatimit në pronë”, theksoi ai.

Në Projektligjin e iniciuar ai ka thënë se është propozuar pezullimi për një vit i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike.

Ai ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë Projektligj.

“Ky ndryshim dhe plotësim i Ligjit do të mundësojë aplikimin e vlerësimeve të pronave dhe faturave tatimore që kanë qenë deri në vitin 2022. Gjithashtu, është propozuar që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të organizojë një proces të ri vlerësimi të pronave të paluajtshme. Vlerësimi i ri i pronave duhet të mbështetet në një proces profesional dhe transparent, ku qytetarët dhe komunat do t’i kenë të qarta metodologjinë dhe kriteret mbi të cilat është bazuar vlerësimi i ri pronave. Po ashtu, përmes kësaj nisme ligjore, kemi propozuar që të obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të propozoj amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë, në mënyrë që t’ju mundësohet më tepër fleksibilitet komunave që të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit në pronë sipas rrethanave ekonomike. Prandaj, ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin mbështetje këtij projektligji”, ka deklaruar Mustrafa

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për vlerësim pozitiv sa i përket kësaj nisme ligjore.

“Mbështetja e këtij projektligji do të krijojë sado pak lehtësi për qytetarët e vendit që po ballafaqohen me mirëqenie të rënduar dhe do t’i japë mundësi një procesi të ri të vlerësimit të pronave, të bazuar në transparencë dhe në një përfshirje më të gjerë të palëve relevante për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Çdo tentativë tjetër për të zhvendosur vëmendjen nga ngarkesa e panevojshme që i është vënë qytetarëve të vendit, sikur tendenca për t’i bartur komunave përgjegjësinë e faljes ose jo të 100 eurove, paraqet vetëm një vazhdim të përpjekjeve për manipulim me publikun dhe ikje nga përgjegjësia e veprimeve të palogjikshme dhe të pamatura politike. Kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme, jo të bazuar në hapa ad-hoc siç po vepron Qeveria me projektligjin aktual. Pra, një zgjidhje të strukturuar dhe në favor të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy