Kryetari i sindikatës së sektorit privat Jusuf Azemi, thotë se në muajin e parë të liberalizimit të vizave, 150 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në kërkim të, siç thotë, një jete më të mirë. Policia e Kosovës ndërkohë, e ka konfirmuar për RTV 21 se nëpër kufijtë tokësor kanë dalë mbi 840 mijë qytetarë apo 100 mijë më shumë se sa në muajin e njëjtë të vitit 2023. Edhe aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ka shënuar rritje të udhëtarëve dhe të fluturimeve.
Po bëhen më shumë se 30 ditë që kur Kosova fitoi të drejtën për lëvizje të lirë në zonën shengen dhe një numër i madh i qytetarëve vlerësohet të kenë dalë nga Kosova. Disa për vizita familjare e disa edhe për qëllime të tjera. Por, sindikatat në Kosovë flasin për siç thonë shifra të frikshme të largimit të qytetarëve. Kryetari i sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, tha se mijëra të rinj kanë lëvizur nga Kosova, edhe për shkak të trajtimit, sipas tij, të padinjitetshëm.
“Shifrat që kemi ne janë të frikshme, vlerëohet se vetëm për një muaj 150 mijë të rinjë e kanë lëshuar Kosovën dhe ata nuk do të kthehen më, në anën tjetër punëtorët e ardhur nga Banglladeshi nga bizneset në Kosovë po trajtohen ndryshe, për të njejtën punë punëtori i Banglladeshit po paguhet shumë më shumë se sa punëtori kosovar plus trajtimin ekstra dhe kjo po i irriton akoma më shumë punëtorët tanë”, tha Azemi.
Institutet që merren me hulumtime, thonë se që nga viti 2016 vetëm në shtetin e Gjermanisë, një për qind e qytetarëve të Kosovës për çdo vjet migruan me viza pune. Në anën tjetër Kosova tash e sa vjet përballet me mungesë të fuqisë punëtore, kryetari i Aleancës së Bizneseve Agim Shahini, flet edhe për largim të bizneseve nga Kosova
“Trendi i ikjes nga Kosova tash më është i njëjtë sikur para luftës për veç motivet ndryshojne atëherë ishin të frikës nga qeveria serbo-jugosllave e sot që qytetarët janë të zhgënjyer nga qeveria e Kosovës që nuk po ndryshon asgjë në të mirë të rritjes se motivet për të gjetë një mundësi sa do të vogël për të jetuar në Kosovë”, tha Shahini për RTV21.
Ndërkohë, statistikisht Policia e Kosovës i tha RTV21 se mbi 840 mijë qytetarë kanë lëvizur në kufijtë tokësor deri në datën 23 janar, 100 mijë më shumë se sa viti 2023.
“Që nga një janari deri më 23 janar, 2024 në kufijtë tokësor të Kosovës kanë hyrë 695 mijë e 345 qytetarë, ndërkohë përmes këtyre kufijëve në të njëjten datë kanë dalë 845 mijë e 973 qytetarë. Ndërkohë e njëjta periudhë në vitin 2023, nga kufijtë tokësor kanë dalë 729961 qytetarë”.
Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, flet për rritje të numrit të udhëtarëve pas liberalizimit të vizave. Sipas të dhënave zyrtare të këtij aeroporti gjatë muajit janar kanë udhëtuar mbi 50 mijë qytetarë më shumë në krahasim me janarin e vitit të kaluar.
“Numri i udhëtarëve dhe fluturimeve vazhdon me një trend të rritjes ku në muajin janar 2024 janë shërbyer 287205 udhëtar, 21.9% më shumë krahasuar me muajin janar të vitit 2023, dhe 996 fluturime apo 23.3% më shumë krahasuar me muajin janar të 2023. Muaji janar i 2023 kishte 235576 udhëtar, dhe 808 fluturime të shërbyera”, thuhet në përgjigjen e ANP-së.
Përfaqësues të bizneseve shqiptare në Gjermani e kanë konfirmuar për RTV21 se Gjermania ka lehtësuar masat e punës për emigrantë, por sipas tyre për t’u punësuar atje ata duhet të jenë të kualifikuar. Përparësi sipas tyre ka fusha e shëndetësisë.