102 të vdekur nga aksidentet në trafik

by Merita

Numri i madh i aksidenteve në trafik të cilat po ndodhin pothuajse çdo ditë ka bërë që vetëm vitin e kaluar të jenë mbi 22 mijë aksidente në komunikacion. Sipas njohësve të fushës në Kosovë mungojnë institucione, të cilat merren me sigurinë në trafik.

Policia e Kosovës ende nuk ka publikuar të dhënat e aksidenteve për muajin Janar, por sipas statistikave të saj, viti 2023 do të mbahet në mend për mbi 22 mijë aksidente në rrugë.

banner

“Gjatë vitit 2023 në Kosovë kanë ndodhur 22 mijë e 370 aksidente ndërsa në vitin 2022 kishte 20 mijë e 794. Gjatë vitit 2023, 8 mijë e 833 persona u lënduan në aksidente komunikacioni, ndërsa në vitin 2022 kishte 7 mijë e 748 persona me lëndime trupore. Nga aksidentet me fatalitet, të vdekur gjatë vitit 2023 kanë mbetur 46 shoferë, 28 këmbësorë, si dhe 28 pasagjerë, ndërsa vitin 2022 janë regjistruar 106 persona të vdekur. Ndërsa, aksidente me dëme gjatë vitit 2023 janë regjistruar 13 mijë e 294, kurse vitin 2022 ishin 12 mijë e 951”, ka njoftuar Policia.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, akuzon pushtetin për aksidentet, duke vënë në pah se mungojnë institucione që merren me sigurinë në trafik.

“Ndodhin për shkak se institucionet tona, nuk janë të përgatitura fare, edhe me institucionet përkatëse sa i përket edhe masave preventive dhe hulumtimeve të aksidenteve, faktorëve që e shkaktojnë dhe neve direkt përgjegjës si institucionet shtetërore për rritjen e numrit të aksidenteve, edhe me fatalitet por edhe të përgjithshme … tu e pas parasysh që ne s’kemi ligj të sigurisë nuk kemi infrastrukturë ligjore sa i përket sigurisë në komunikacion rrugor, pasi i njëjti ligj në 2016 është shkatërru, dhe është shpërnda në tri ligje të tjera të cilat nuk e kanë ma efektin e sigurisë ligjore”, tha Noli për RTV21.

Qytetarët ndërkaq, thonë se aksidentet ndodhin për shkak të shkeljes së rregullave në trafik.

“Duhet me pas shume kujdes që me shiku rrugën, sepse ka që s’din me i grah për shembull kerrit, apo sapo e ka marr lejen ose diçka… jo qe është faji i yt po i tina, po mundet me ta marr jetën, ai shkon në burg, ti vdes, pra është diçka e keqe”, tha një qytetar.

‘’Jam kanë sivjet nifar vendi edhe kund kerr smujshe me pa rrugës se ia marrshin policia meniher, këtu ligj ka amo a po e respektojnë ligjin?”, tha një qytetar tjetër për RTV21.

“Kur vozitin, varet prej shoferit, aty qysh e kanë marrë lejen…do i respektojnë do jo”, tha tutje një qytetar.

Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente, janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike, si dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy