Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përparon bashkëpunimin dypalësh dhe hapë rrugën për ndërtimin e urave të reja të njohurisë dhe inovacionit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
“Kjo është një marrëveshje, e cila do të ratifikohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe përcakton një seri bashkëpunimesh dhe partneritetesh me Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të vendit tonë. Palët, të cilat janë në këtë marrëveshje inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin mes komuniteteve akademike dhe gjithashtu do të thellohet bashkëpunimi duke inkurajuar pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta të BE dhe në programet e UNESCO apo programe të tjera të cilat kanë interes dypalësh”, tha ministrja Ogerta Manastirliu, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, qeveritë e të dyja vendeve lehtësojnë lëvizshmërinë e studentëve duke ofruar bursa për studime nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo do të ndihmojë në eliminimin e barrierave financiare për studentët dhe do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore të dy vendeve.
“Një tjetër risi që vjen nga kjo marrëveshje është programi i lëvizshmërisë së studentëve, ku do të mundësohet dhënia e bursave. Dhe do të jenë studentë të Kosovës por edhe të Shqipërisë sepse kjo është një marrëveshje reciproke, ku do të mundësohet dhënia e 30 bursave në vit për studentë në cikle të ndryshme studimi, që do të duan të studiojnë në Shqipëri në programe të ndryshme. Do të ketë një proces vlerësimi nga Njësitë e Arsimit të Lartë dhe komisione ad-hoc, të cilat do të përcaktojnë kriteret dhe procedurat për sa i përket përfitimit të bursave që parashikon kjo marrëveshje”, tha Manastirliu.
Gjithashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje lehtëson procedurat për njohjen reciproke të certifikatave dhe diplomave, duke i dhënë studentëve dhe profesionistëve mundësinë për të ndërtuar karrierën dhe për të ndarë njohuritë në një spektër më të gjerë gjeografik. Për të siguruar zbatimin efektiv të kësaj marrëveshjeje, do të formohen grupe pune të dedikuara që do të monitorojnë progresin dhe do të identifikojnë mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit tonë në arritjen e objektivave të përbashkëta, shkruan tvklan,