Në fjalimin e përnatshëm nga dritarja e shtëpisë së tija para mbështetësve, ish-kryeministri Sali Berisha u ndal sërish tek intervista e pak ditëve më parë të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, duke theksuar se intervista e tij lidhet me skenarë kërcënimesh për nënshkrim dokumentesh
Pjesë nga deklarata:
Çfarë do të bënin popujt evropian nëse një kryeministër kontrakton shefin e kundër inteligjencës së ShBA për të goditur opozitën. A do ta mbanin ata një kryeministër të tillë? Çfarë do të bënin popujt evropian nëse një kryeministër akuzohet nga zëvendësi i tij se është kreu i një organizate kriminale. Çfarë do të bënin popujt evropian nëse zëvendësi i kryeministrit thotë me zë dhe figurë se po të mësonin qytetarët shqiptarë se çfarë ka ndodhur ata do të llahtariseshin.
Ndaj dhe ne në 20 shkurt në betejën tonë pa kthim për fitore. Miqtë e mi! Ftoj ju, çdo shqiptar, të ndalemi vetëm për një moment. Po çfarë do të na llahtariste ne po ta mësonim pasi zëvendësi i Edi Ramës nuk na e tregoi.
Ne nuk llahtarisemi sepse e kemi të faktuar sepse Edi Rama për vjedhjen e shekullit me firmën e tij ka ndryshuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve nga landfill në djegësa.
Ne nuk llahtarisemi sepse e dimë se Edi Rama ka urdhëruar firmosjen brenda 1 orë të 17 dokumenteve të vjedhjes së shekullit. Ne nuk llahtarisemi sepse e dimë se është Edi Rama që ka firmosur negociatat e ndaluara me ligj, të mbyllura. Se është ai që me firmën e tij i ka dhënë 8 pikë një kompanie që nuk ekzistonte mbi tokë, de fakto kompanisë së tij.
Të gjitha këto akte të rënda kriminale, ne i dinim para intervistës së Arben Ahmetaj
Por llahtaria që njoftoi Arben Ahmetaj lidhet me diçka shumë te keqe që ne nuk dimë.
Ajo mund të lidhet me vrasje, murosje, apo zhdukje që ne nuk dimë asgjë.
Ajo mund të lidhet me firma të vendosura në dokumente me revole pas koke që ne nuk dimë asgjë. Ajo mund të lidhet me kontot bankare të mbi 100 milionë euro të Ramës dhe Veliajt që ai i ka zbuluar. Çdo komb evropian do të ja nxirrte për hundësh brenda 24 orëve, veprimet e llahtarshme të kryeministrit të vet, të denoncuar nga zëvendësi i tij.
O sot o kurrë, 20 shkurti është dita jonë, dita e fitores.