Fati i Serbisë, pohon shkrimtari më i rëndësishëm serb i gjallë Svetislav Basara, është se asaj gjithmonë i mungon diçka. Më e theksuar sipas tij është pjesa e territorit.
“Serbia është gjithmonë pa diçka dhe diçka është gjithmonë jashtë Serbisë”, ka thënë ai.
Fituesi i pesëmbëdhjetë prej çmimeve më prestigjioze letrare, duke përfshirë dy çmime NIN, Basara pohon se në Serbi, të gjithë ata që duhet të marrin një karton të kuq simbolik, marrin dritën jeshile.
“Të gjitha dyert u hapen, të gjithë punojnë për ta, përfshirë ata që gjoja janë kundër gjërave të tilla. Problemi i Serbisë nuk janë Sllobodan Millosheviqi, Vojisllav Sheshel dhe Aleksandar Vuçiq – ndonjëherë më duket se edhe ata janë viktima”.
Sipas shkrimtarit serb, shoqëria serbe thjesht nuk ka një sistem imunitar që do të refuzonte personalitete si ato të përmendura më lart.
“Për më tepër, mendoj se shoqëria serbe, jo gjithmonë me vetëdije, krijon personalitete të tilla. Historia për Millosheviqin apo Vuçiqin, të cilët u shfaqën nga hiçi dhe mbretëruan të frikësuar, është marrëzia më e zakonshme”.
Kjo sepse sipas tij, ndërmjet viteve 1987 dhe 1999, 99 për qind e popullsisë serbe mbështeti projektin e Millosheviqit dhe Dobrica Qosiçit për një Serbi të madhe.
Basara thotë se shoqëria serbe është e prirë ndaj epidemive psikologjike, sepse ajo nuk është një komunitet i qytetarëve të lirë, por një grup aritmetik.
“Serbia filloi një luftë tjetër, e humbi dhe vazhdoi të humbiste në paqe. Serbia humbet në paqe sepse nuk di – dhe ndoshta nuk dëshiron – të jetojë në paqe. Jo vetëm me të tjerët, por edhe me veten”.
Shkrimtari u pyet edhe pse po armatosen Serbia dhe Kroacia.
“Nuk di për Kroacinë. Serbia po armatoset sepse ka humbur në paqe. Me vrasjen e Xhinxhiqit, Serbia doli nga historia e botës moderne me të dyja këmbët. Dhe një këmbë ishte gjithmonë jashtë. Xhinxhiqi dhe disa të tjerë u përpoqën ta humanizojnë shoqërinë serbe, ta modernizojnë dhe institucionalizojnë, ta ndajnë pseudomitologjinë nga politika, por kjo nuk i shkonte për shtat të njëjtës përqindje të qytetarëve serbë të cilit anuan kah Sllobodan Millosheviq”. /SB