Lavdim Krasniqi dhe dy të akuzuarat tjera mbrohen në heshtje, Prokuroria kërkon dënimin e tyre

by Nexhat

Në seancën e rigjykimit, ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe të akuzuarat Marigonë Berisha dhe Flora Doda, janë mbrojtur në heshtje. Ndërsa, në fjalën përfundimtare, prokurorja Arbëresha Shala kërkoi dënimin e të akuzuarve, kurse mbrojtja e këtyre të fundit, lirimin e tyre nga akuza.

Tre të akuzuarit u mbrojtën në heshtje në seancën e rigjykimit, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po akuzohen për korrupsion e vepra tjera penale. Bashkë me ta ngarkohet edhe Ardian Krasniqi, për të cilin është veçuar procedura në seancën e shqyrtimit fillestar të rigjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”

banner

Paraprakisht, në këtë seancë është administruar si provë ekspertiza e prokurimit publik dhe është dëgjuar ekspertja Blerina Shamolli.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shala, ekspertja ka sqaruar se duke u bazuar në dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, asnjë furnizim, shërbim apo punë nuk mund të bazohet në ndonjë autoritet kontraktues pa pasur fillimisht një procedurë të prokurimit

Ekspertja Shamolli tha se sipas dokumentacionit të ofruar nga autoriteti kontraktues, datat e pranimit të mallit gjithmonë sipas raportit të komisionit të pranimit prej 3 anëtarëve dhe sipas raportit të menaxherit të projektit, janë kryer pas inicimit të një procedure të prokurimit.

Kurse, pjesa e faturës siç është e përmendur në disa pika të ekspertizës, tha se nuk është e sqaruar për shkak se kjo faturë në Departamentin e Financave nuk është dorëzuar asnjëherë sipas konfirmimit me e-mail nga zyrtarja kryesore e financave.

“Përpos pjesës së pagesës së faturës, e gjithë procedura është e iniciuar sipas dispozitave të Ligjit të Prokurimit”, ka thënë ekspertja Shamolli.

Ajo ka sqaruar përgjegjësitë e zyrtarit kryesor administrativ, sipas Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike dhe Ligjit të Prokurimit Publik.

Ekspertja tha se janë në kompetenca të zyrtarit kryesor administrativ që të sigurojë që organizata buxhetore, agjencia autonome ekzekutive ose autoriteti kontraktues në këtë rast të Këshillit Prokurorial, të jenë në përputhshmëri të plotë dhe të respektojnë dispozitat e dy ligjeve të sipërpërmendura.

“Sipas përgjegjësive të ZKA, është personi përgjegjës i cili inicion procedurën e prokurimit duke iniciuar kërkesën e zotimit të mjeteve, ku sipas hierarkisë i dorëzon te zyrtari autorizues të nënshkruar nga vetë ai dhe zyrtari financiar për të kaluar në zyrën e prokurimit. Gjithashtu, është përgjegjës për verifikimin e gjithë procedurës deri në përfundimin e saj”, tha ekspertja e prokurimit.

Sipas saj, në ekspertizë janë paraqitur edhe emrat përgjegjës për secilin aktivitet të kësaj procedure, ku njëkohësisht edhe i akuzuari Lavdim Krasniqi, ajo tha se është person autorizues për inicimin e kësaj kërkese të prokurimit.

Tutje, ekspertja Shamolli theksoi se në bazë të dokumentacionit, nuk ka pasur shkelje, kurse vërejtjet janë shënuar në ekspertizë.

Pas dëgjimit të saj, prokurorja Shala ka propozuar që të kryhet një ekspertizë e re nga një ekspertë tjetër lidhur me këtë procedurë, duke konsideruar se procesi i prokurimit nuk është kryer konform dispozitave dhe kjo duhet të sqarohet edhe një herë.

Propozimi i saj u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarve, duke kërkuar nga gjykata që të refuzohet si i pabazuar.

“Vërtetë është i paqëndrueshëm dhe nuk meriton të merret në konsideratë për t’u vlerësuar. Nuk ka shumë kohë kur prokurorja ka dalë me propozim për sigurim të ekspertizës dhe atëherë ka mund të bëjë më shumë propozime e jo secilën seancë të shkojë me propozime të pakuptimta, të pabazuara e të panevojshme që s’çojnë askund”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Lavdim Krasniqi, avokati Ramë Gashi.

Ai tha se prokurorja jo më larg se sot pati mundësinë ta sfidojë ekspertizën dhe tani për të njëjtat arsye propozohet ekspertizë tjetër, duke mos u dhënë asnjë sqarim, duke mos u arsyetuar në asnjë formë të argumentuar dhe duke mos paraqitur asnjë provë të re mbi të cilën propozimi i tillë do të kishte kuptim.

Më pas, propozimi i prokurores u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se ekspertiza është bërë pas propozimit të saj dhe se eksperten e kishte tani në sallë të gjykimit.

Në fund, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët, ku fillimisht prokurorja Shala tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në seancën e 6 shkurtit 2023, duke shtuar vërejtjet e saj lidhur me ekspertizën e ekspertes së dëgjuar në këtë seancë.

Prokurorja ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohet sanksion penal në pajtim me ligjin, si edhe kërkesën e prokurorit paraprak që personave zyrtarë t’iu shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksionit.

Në anën tjetër, edhe avokati Rama ka qëndruar në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin paraprak, duke shtuar se provat qoftë në formë të dëshmisë apo në formë të shkruar të nxjerra në rigjykim si prova të reja, si deklaratën e dëshmitarit nga seanca e kaluar dhe ekspertiza me shkrim e dëshmia e ekspertes në seancën e sotme, janë argument plus përveç atyre që janë dhënë më herët.

Avokati Rama ka kërkuar që aktgjykimi i gjykatës në mungesë të fakteve të jetë lirues për të gjitha pikat për të cilat e ngarkon aktakuza.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarës Marigonë Berisha, avokati Fatlum Podvorica ka mbetur në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin paraprak, duke shtuar asnjëra prej dy veprave penale për të cilat Prokuroria e akuzon të mbrojturin e tij nuk janë vërtetuar.

Podvorica kërkoi që e mbrojtura e tij të lirohet nga akuza.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Flora Doda, avokati Arlind Jupolli tha se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më parë.

Ai tha se konsideron që në tërësi janë përfillur udhëzimet nga Gjykata e Apelit, me nxjerrjen e provës përmes ekspertizës nga prokurimi publik, dhe me dëgjimin e ekspertes në cilësi të dëshmitares, sipas tij në tërësi është vërtetuar se e mbrojtura e tij në kuadër të autorizimeve të veta ka vepruar konform ligjeve në fuqi.

“Në mungesë të këtyre provave dhe cilësdo provë tjetër, i propozoj gjykatës që ndaj të mbrojturës sime të marrë aktgjykim lirues”, tha avokati Jupolli.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi ka bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimin dhe kërkesave pasurore-juridike.

Kurse, Prokuroria e Apelit ka kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy