Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk e meritojnë Kosovën ata që e quajnë të përkohshme.
Në emisionin Context në ATV, Abdixhiku ka thënë se Kosova nuk është shtet i përkohshëm, por është shtet i plotë
“Nuk guxojmë t’u themi fëmijëve që Kosova është shtet i përkohshëm. Partia në pushtet nuk beson në projektin e Kosovës. Partia në pushtet nuk beson që Kosova, shtet i pavarur dhe Sovran është projekt serioz. Kosova nuk është shtet i përkohshëm, është shtet i plotë”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK ka thënë se “duhet të sillemi patriot ndaj Republikës së Kosovës, fundja e kemi fituar me mund”.
“Unë jam pagues i rregullt i faturave. Unë jam familjar dhe rris familje në kushte të Kosovës. Fëmijët e mi shkollohen në Kosovë jo jashtë Kosovës, ne jetojmë në Kosovë. S’kemi shtëpi tjetër përveç Kosovës. S’kam pasaportë tjetër”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se në tri vjetët e fundit me këtë qeveri, s’ka përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Nuk ka barna për fëmijë, për tuberkuloz, sepse sistemi qendror nuk i furnizon. Ndani përgjysmë me fëmijë ato doza që i keni, kështu iu kanë thënë në një Qendër të Mjekësisë Familjare”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, propaganda e Qeverisë po dëshiron të na mbajë me debatin me Serbi, e jo në zhvillimin e vendit.
“Kryeministri e ka përmendur 148 herë fjalën Serbi, fjalën spital 7 herë dhe shkollë vetëm 4 herë”, ka thënë Abdixhiku