Me duartrokitje ishte mirëpritur dënimi me burgim të përjetshëm i Dardan Krivaqës, të akuzuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit.
Por, shumëkush mbeti i habitur të premten kur Gjykata e Apelit vendosi ta kthejë rastin në rigjykim, ku pos Krivaqës ishte i dënuar edhe shoku i tij, Arbër Sejdiu, me 15 vjet burgim
E, në mesin e të zhgënjyerve për këtë vendim është edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK)
“Ka pas prova ma shumë sesa që duhet të ketë në mënyrë që institucionet të marrin vendimin e duhur që është dashur me marr karshi këtij rasti. Kështu që rasti i Marigonës nuk është dashur të kthehet në rigjykim. Ne kemi shpresuar se Apeli vetëm do ta fuqizojë vendimin e Gjykatës Themelore, ashtu që rasti të shkojë në Supreme dhe vendimi të kthehet i plotfuqishëm”
“Kështu që, në asnjë moment nuk e kemi pritur se ky rast do kthehet në rigjykim mirëpo sido që të jetë, ne presim që dënimi të jetë maksimal”, ka thënë Besarta Brezhnica nga RRGK-ja.
Por, një vendim i tillë sipas avokatit Arbër Jashari merret në baza faktike.
“Zakonisht, kur ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale ose vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, atëherë Gjykata e Apelit e kthen lëndën në rigjykim. Siç thash edhe më herët, rastet kur Apeli i kthen lëndët në rigjykim nuk janë të shpeshta, diku 11-12 për qind e të gjitha rasteve penale që vijnë me ankesë”, ka sqaruar Jashari.
Nisja e procesit nga zeroja sipas avokatit, mund të sjellë ndryshime në lartësinë e dënimeve
“Mund të jap një vendim krejt ndryshe nga ajo që e ka marrë herën e parë, ose mund ta marrë sërish vendimin e njëjtë mbi dënimin ose mund ta marrë ndonjë vendim që është më i lehtë, eventualisht më i ashpër, varësisht nga rrjedha e procedurës”.
“Mirëpo, në rastet kur ankesë ka bërë vetëm i pandehuri, atëherë gjykata edhe në rigjykim nuk mund të marrë vendim më të disfavorshëm sesa që ka marrë herën e parë”, ka shtuar Jashari.
Sipas vendimit të Apelit, të akuzuarit mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Lidhur me vendimin, RTV Dukagjini ka provuar të kontaktojë edhe me familjarë të së ndjerës, por ata kanë qenë të pa qasshëm
Në gusht të vitit 2021, Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Ferizajt, nga dy të akuzuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu