Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Orjola Pampuri mbajti këtë të martë një deklaratë për media në lidhje me raportin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Shqipërinë.
Pampuri nënvizoi se raporti i BERZH evidentoi se standardi i jetesës në Shqipëri është përkeqësuar
Nënkryetarja e PD bëri fajtore për raportin qeverinë dhe tha se maxhoranca jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për shqiptarët, por jeta e tyre vitet e fundit është përkeqësuar edhe më shumë në aspektin ekonomik.
“Standardi i jetesës në Shqipëri është përkeqësuar.
Kjo qeveri jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për shqiptarët, por jeta e tyre vitet e fundit është përkeqësuar edhe më shumë në aspektin ekonomik.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme për çdo nënë, për çdo familje, se sa brezi i ri
E ardhmja jonë.
Kjo qeveri i ka braktisur dhe ata.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e saj të fundit thekson se pas vitit 2018 qeveria në Shqipëri ka qenë pengesa kryesore për investitorët e huaj dhe inkurajimi i të rinjve për t’u larguar nga Shqipëria.
Kjo është një kambanë alarmi, të cilën PD e ka ngritur shumë herë.
Një qeveri e korruptuar nuk mund të vazhdojë të qëndrojë, sepse çdo ditë që kalon vetëm thellon korrupsionin dhe largon rininë nga vendi, sepse ata nuk shohin asnjë lloj të ardhme.
Partia Demokratike është e vendosur të bëhet një alternativë e besueshme për shqiptarët.
Këtë do ta bëjmë me programin tonë për të rinjtë dhe për krijimin e një klime të mirë biznesi për investitorët vendas dhe të huaj
Kjo qeveri ka krijuar një oligarki, duke thelluar ndarjen dhe duke pasuruar disa në kurriz të të tjerëve.
PD do të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë, duke garantuar që liria ekonomike dhe një klimë e mirë biznesi do t’i japin mundësinë secilit të tregojnë aftësinë që kanë dhe të marrin atë që meritojnë”, tha Pampuri.