Në dhjetor të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e paralajmëroi homologun rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës do të sillte “pasoja ekonomike për Rusinë, të papara ndonjëherë”.
SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë e përmbushën këtë kërcënim me runde të njëpasnjëshme sanksionesh, prej se Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj, në shkurt të vitit 2022
Të fundit nga presidenti Biden u shqiptuan javën e kaluar. Ai tha se mbi 500 sanksionet e reja kanë në shënjestër makinën luftarake të Rusisë.
“Putini besonte se mund ta thyente lehtësisht vullnetin dhe vendosmërinë e popullit të lirë të Ukrainës, se mund të futej në Ukrainë dhe ta nënshtronte atë. Dy vjet më vonë, ai mbetet i gabuar. Nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tha Biden
Në po atë javë, Bashkimi Evropian miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat, siç tha, shënjestrojnë rreth 200 organizata dhe njerëz, që e ndihmojnë Kremlinin të blejë armë ose të marrë fëmijë ukrainas nga shtëpitë e tyre.
Putin, duke folur në qytetin industrial Tula, disa ditë para kësaj vale të re sanksionesh, tha se masat e Perëndimit nuk e kanë ndikuar ekonominë ruse.
“Ata parashikuan rënie, dështim, kolaps. Menduan se ne do të dorëzoheshim ose do të shpërbeheshim. Por, nuk patën sukses. Ekonomia jonë po rritet, ndryshe prej ekonomisë së tyre”, tha Putin.
Dhe, duket se Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakord me të. Ai i përmirësoi parashikimet e tij për rritjen ekonomike ruse këtë vit në 2.6 për qind, nga një vlerësim i mëparshëm prej 1.1 për qind