Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar të hënën në Facebook se do të ketë diskutime me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, për çështjen e dinarit.
Bislimi kishte refuzuar të shkonte në Bruksel e të diskutonte për një çështje të tillë. Kosovën aty e përfaqësoi delegacioni nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila e kishte nxjerrë rregulloren për dinarin.
Por Bislimi do të takohet me Lajçakun, të martën – për këtë ka njoftuar zyra për media e Qeverisë së Kosovës
Në njoftim thuhet se në takim do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Takimi do të nis në ora 09:30 në objektin e Qeverisë.
“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftim.