Lajçak ndodhet sot në Kosovë për bisedime me Besnik Bislimin për Dinarin serb

by engel

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet sot (e marte) në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kështu ka njoftuar dje Qeveria e Kosovës. Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuar nga BE-ja, do të bisedojë më Lajçakun “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”. Zyra e kryeministrit nuk ka dhënë hollësi të tjera rreth vizitës së të dërguarit të BE-së, apo nëse ai do të ketë takime me të tjerë zyrtarë kosovarë.

Lajçaku e viziton Kosovën një javë pasi, me ftesë të tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan më 27 shkurt në Bruksel për të biseduar për çështjen e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarit serb në gjithë vendin. Por, Bislimi e kishte refuzuar ftesën e tij për të qenë i pranishëm në atë takim me arsyetimin se nuk bëhej fjalë për një takim ku do të duhej të shkonte ai, sepse, siç tha, “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

banner

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ndërsa Lajçaku paralajmëroi takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen. Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë i kërkuan Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë zbatimin, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur nga ajo të përshtaten me praktikën e re, sepse pre pas luftës më 1999, komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa në dinarë nga Serbia, përfshirë paga, pensione e shtesa për fëmijë.

Por, kryeministri Albin Kurti këmbënguli se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Bashkësia ndërkombëtare i kërkon me ngulm Kosovës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy