Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit të serbit ZH.N. në Mitrovicën Veriore duke thënë se ky arrestim është “vazhdim i presionit ndaj popullit serb”.
Kjo praktikë, sipas mendimit të tyre, “kërkon që të jeni serb i cili ka qenë i moshës madhore në vitin 1999 për t’u akuzuar për krime lufte”.
“Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës të ndalojnë persekutimin e serbëve. Që sa më shpejt të lirohet Zhivoradi dhe të gjithë të tjerët dhe t’u jepet e drejta të mbrohen nga liria, e të mos shndërrohet paraburgimi në dënime me burgim disavjeçar”, pretendojnë nga Lista Serbe.
Ata deklarojnë se arrestimet e tilla të serbëve “sjellin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në terren”, në vend që, sipas tyre, “situata të qetësohet dhe të shkojë në drejtim pozitiv”.
“Në praninë e misionit më të shtrenjtë evropian për sundimin e ligjit, EULEX-it, është absolutisht e turpshme që kaq shumë serbë akuzohen për krime lufte pa asnjë provë materiale, pa asnjë dëshmitar okular dhe çka është më e keqja, me paraburgim të detyrueshëm vetëm sepse kombësia e tyre është serbe”.
Ata pyesin se “nga çfarë frikësohen përfaqësuesit e EULEX-it, kështu që ata kurrë nuk kanë zbuluar publikisht informacione rreth procedurave kundër serbëve të cilët u akuzuan për krime lufte dhe të pafajshëm kaluan vite në paraburgim”.
“A e dini se numri më i madh i atyre njerëzve pas lirimit largohen nga Kosova sepse nuk duan të provokojnë fatin dhe të kalojnë sërish në ferrin e kazamatëve të Kosovës. Nëse asgjë tjetër, kjo do të ishte një arsye e mjaftueshme që institucionet evropiane të nisin analizat e punës së EULEX-it në terren, dhe jo të lexojnë raportet “e zbukuruara” të burokratëve të tyre nga Prishtina”, pretendojnë në Listën Serbe.