Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.
Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.
Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.
Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.
Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.
Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.
Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.
“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.
Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.
“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.
Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.
Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.
Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”
Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.
Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse.
Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ka vlerësuar ndërkohë punën e autoriteteve shqiptare për sa i përket “bonuseve të rijetëzimit”, për restaurimin e monumenteve si dhe përmirësimin e Rregulloreve të Qendrave Historike në Berat dhe Gjirokastër.
Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.
Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 15 korrik 2005 ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.
Raporti i Butrintit ende i papublikuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore
Ministria e Kulturës dhe Ekonomisë ka autorizuar publikimin e raportit për Gjirokastrën dhe Beratin por ende në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore nuk është publikuar raporti i Shqipërisë për Butrintin.
Sipas një letre që Qendra e Trashëgimisë Botërore i dërgoi Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO raporti nga pala shqiptare duhej të dorëzohej më 1 shkurt të këtij viti.
“Në funksion të informacionit të marrë nga palët e treta, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/misionit të përbashkët këshillues të lCOMOS në pronën e Trashëgimisë Botërore “’Butrint”, nga 26 deri më 28 tetor 2022, mbi cënueshmërinë e vlerave universal të pronës dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, i cili nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe që përfaqëson një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të pronës, do të doja të ftoja autoritetet tuaja kompetente të paraqesin një raport mbi gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore “Butrint” deri më 1 shkurt 2024, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 46-të””, thuhet në letrën që Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Lazare Eloundou Assomo, i drejton ambasadores shqiptare në UNESCO Besiana Kadare.
Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar por edhe modelin e ri të menaxhimit.
Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një Fondacion i ri ku përfshihet ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.
Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.
Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.
Edhe misioni i UNESCOS ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut, zonës A -3 që përfshihet në marrëveshje e cila është 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Misioni i fundit i UNESCO-s shprehet se menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.
Misioni shprehet se, Ministria e Kulturës duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut Kombëtar.
Prej tetorit të vitit të shkuar kur raporti i misionit iu dorëzua Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ai nuk u publikua nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin.
Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.
Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.
Zoti Gonxhe tha përmes një statusi në rrjetet sociale se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit donte të siguronte opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.
“Kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja” , u shpreh Ministri i i ri i Kulturës dhe Ekonomisë. /VOA