Miodrag Vlahoviq – ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij të mëhershëm kur kishte deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk mund të arrijnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se edhe gjatë kohës sa ishte ministër besonte në atë se të dyja vendet duhet të gjenin zgjidhje dhe se Mali i Zi duhet të qëndrojë mënjanë.
Sipas tij, Serbia dhe Kosova janë ende përtej pikës së aspiratave të planifikuara të të dyja palëve, të cilat mund të çojnë në një lloj zgjidhjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme.
“E kjo gjendje është për të ardhur keq, e cila në fakt nuk po e dëmton vetëm dinamikën e brendshme në Kosovë, por edhe po e afekton situatën politike në Serbi. Por rrjedhimisht dhe në mënyrë të pashmangshme është diçka që lidhet me stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili ende bazohet ose lidhet në mënyrën më të drejtpërdrejtë me rezultatin e dialogut ndërmjet të dyja vendeve”, ka thënë ai.
Sipas tij, të dyja palët duhet të kenë parasysh domosdoshmërinë për të gjetur zgjidhje.
Ka shtuar se plejada politike e presidentit në Serbi, në 12 vjetët e fundit, nuk pajtohet me asnjë lloj nocioni që duhet të arrijnë marrëveshje me Kosovën, duke shtuar se ata e besojnë të kundërtën.
“Unë besoj se e kanë thellësisht gabim. Është në interesin e tyre, në interesin e tyre më të mirë, në interesin e qytetarëve të tyre, interesin e Serbisë si një shtet, interesat e rajonit dhe në interesat e Kosovës në fund të ketë një lloj zgjidhjeje të pranueshme reciproke. Mendoj se Aleksandër Vuçiq, i cili është në pushtet tani pak a shumë prej 12 vjetësh, u ndihmua të vinte në pushtet ose u mbështet për të ardhur në pushtet nga një numër i miqve dhe aleatëve tanë perëndimorë për të gjetur zgjidhjen e të ashtuquajturës çështje e Kosovës. Është e qartë se ai nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë. Pra, për momentin, me respektin e duhur për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar, besoj se Kosovës i mungon homologu, ana tjetër e tryezës në këtë dialog”, ka thënë ai.
Vlahoviq ka thënë se është e nevojshme që për palën kosovare të arrihen interesat kombëtare të Republikës së Kosovës dhe gjithashtu të shprehë dhe të shfaqë gatishmërinë për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare në kuadër të dialogut.
“Dialogu nuk mbyllet në një lloj situate të ngjashme me një proces laboratorik. Ju nuk mund t’i abstrahoni realitetet e tjera, jo vetëm në komunikimin me Serbinë, por edhe në rajonin ku jetojmë, në Ballkanin Perëndimor, dhe madje edhe në një kontekst më të gjerë në nivel evropian”, ka thënë ai.
Sipas tij, interesat kombëtare të Kosovës, duhet të ruhen, të mbrohen, dhe kjo është legjitime kushdo qoftë kryeministër, cilado qoftë plejada politike në këtë vend
Nga ana tjetër, shton ai, ka edhe interesa dhe pritshmëri legjitime të bashkësisë ndërkombëtare.
“Sepse, e dini, shkurt, dialogu në mes të Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës, në mes të Beogradit dhe Prishtinës, nuk ka të bëjë vetëm me Beogradin dhe Prishtinën. Sjellja, aktivitetet dhe veprimet e zyrtarëve të Beogradit janë pikërisht ai qëndrim i Beogradit zyrtar”, ka thënë ai.