Dy detarë janë vrarë të mërkurën si pasojë e një sulmi raketor nga grupi rebel, Huthi, kundër një anijeje mallrash në Detin e Kuq, njoftuan zyrtarët amerikanë dhe britanikë.
Ky ishte sulmi i parë me të vdekur prej se ky grup, i mbështetur nga Irani, i filloi sulmet kundër anijeve tregtare në rrugën më të dendur tregtare detare në botë muaj më parë.
Përgjegjësinë për sulmin e morën rebelët huthi.
Cak i sulmit ishte një anije greke, e regjistruar në Barbados
Ambasada britanike në Jemen shkroi në rrjetin social X: “Së paku dy detarë të pafajshëm kanë vdekur. Këto ishin pasojat e trishtueshme por të pashmangshme të gjuajtjeve me raketa nga Huthi kundër transportit ndërkombëtar të mallrave. Ata duhet të ndalen patjetër”.
Lajmi për vdekjen e dy detarëve u konfirmua edhe nga një zyrtar i lartë amerikan, raporton Reuters.
Rebelët huthi janë duke i sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq prej nëntorit të kaluar, dhe thonë se po e bëjnë këtë për t’i mbështetur palestinezët gjatë luftës në Gazë.
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar sulme hakmarrëse ndaj caqeve të grupit Huthi prej janarit.
Operatorët grekë të anijes True Confidence thanë se anija u kaplua nga flaka si pasojë e sulmit.
Në bordin e saj ndodheshin 20 persona, një indian, dy vietnamezë dhe 15 filipinas. Tre roje të armatosura, dy nga Sri Lanka dhe një nga Nepali, ishin në bord gjithashtu. /REL