Evropa po përballet me një valë moti të keq, që ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim. Stuhia “Monica” që po përfshin Francën juglindore, ka shkaktuar vdekjen e 3 personave dhe disa të zhdukur, ndërsa 6 departamente janë nën alarmin portokalli të rrezikut të përmbytjeve.
Mediat franceze bëjnë të ditur se mes të zhdukurve është një kryefamiljar me dy fëmijët e tij të moshës 4 dhe 13 vjeç.
Kërkimet për të zhdukurit në Gard u ndërprenë gjatë natës dhe kanë rifilluar mëngjesin e sotëm.
Charente-Maritime, Gironde, Pyrenées-Atlantiques, Yonne, Saône-et-Loire dhe Puy-de-Dome janë ende në alarm portokalli nga Météo France këtë mëngjes për rrezikun e përmbytjeve.

Moti i keq ka përfshirë edhe Italinë, ku mbrojtja civile ka lëshuar një alarm portokalli në Emilia-Romagna dhe një alarm të verdhë në 16 rajone të tjera.
Për shkak të një orteku në Monesi në brendësi të Imperias, një nga katër alpinistët e skijimit ka vdekur.
Edhe në alpet zvicerane janë gjetur pajetë 5 nga 6 alpinistët që ishin zhdukur prej dy ditësh.