Vizitën në selinë e NATO-s, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla e përmbylli me një takim të posaçëm në një darkë pune me të gjithë Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit, anëtarë të NATO-s, ku u rikonfirmua mbështetja për Kosovën, thuhet në komunikatën media.
Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e parezervë të gjithë Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve të rajonit në NATO për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike
Sipas komunikatës, Gërvalla ka ritheksuar përkushtimin dhe progresin e arritur në shumë fusha dhe angazhimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për të ardhmen euroatlantike si dhe avancimin sa më të shpejtë të anëtarësimit tonë në NATO.
“Republika e Kosovës është dëshmuar në vazhdimësi si një partner i besueshëm dhe i rreshtuar krah aleatëve dhe partnerëve në NATO dhe Bashkimin Evropian, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe Evropë”, tha Gërvalla
Gërvalla tutje ka informuar përfaqësuesit e pranishëm rreth obstruksioneve, sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë kundër Kosovës, por edhe kundër paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.
Në këtë takim të përbashkët, ku u takuan me Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit, anëtarë të NATO-s, të Kroacisë, ambasadorin Mario Nobilo, të Turqisë, ambasadorin Zeki Levent Gumrukcu, të Sllovenisë, ambasadorin Andrej Benedejcic, të Bullgarisë, ambasadorin Nikolay Milkov, të Shqipërisë, ambasadorin Ilir Gjoni, të Maqedonisë së Veriut, ambasadorin Dane Taleski, të Greqisë, ambasadorin Ioannis Miltiadis Nicolaidis, dhe të Malit të Zi, u.d Maja Djurdjic, Gërvalla shoqërohej nga përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, ambasadori Astrit Zemaj dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe Bashkimin Evropian, Agron Bajrami