Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitarja e 49-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04881 në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo dëshmitare është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar në sesion privat për publikun. Mirëpo, sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesit e ZPS-së, dëshmitarja do të flasë lidhur me një viktimë vrasje që përmendet në aktakuzë për të cilën pretendohet se është vrarë pasi që është marrë dhe dërguar në UÇK në zonën e Llapit.
“Dëshmia e dëshmitarit 04881 ka të bëjë me një viktimë vrasje në aktakuzë që është vrarë pasi është marrë dhe dërguar në UÇK-ja në zonën e Llapit. Dëshmia e dëshmitares përshkruan rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje dhe çfarë i kanë thënë familja e saj dhe rrethanat që kanë ndikuar mbi të”, tha përfaqësuesja e ZPS-së.
Vlen të theksohet se kur filloi dëshminë kjo dëshmitare, seanca ishte në sesion privat duke mos u dëgjuar se sa kohë ka paraparë ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjes për ta marrë në pyetje atë. Pra, nuk dihet se sa do të zgjasë dëshmia e kësaj dëshmitareje.