“Më në fund, pas 12 orësh, ne kemi një marrëveshje, ne kemi një marrëveshje se si ta bëjmë atë”. Kështu kishte deklaruar kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, një vit më parë kur Kosova dhe Serbia ranë dakord mbi një aneks për zbatimin e marrëveshjes bazë. Një vit më vonë entuziazmi i Borrellit iu zëvendësua me zhgënjim kur përkujtoi vitin e parë të marrëveshjes Kosovë-Serbi më 18 mars. Përgjatë këtij viti nuk u zbatua asnjë nga nenet e dakorduara dhe Përfaqësuesi i Lartë hodhi faj në të dyja palët.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, në prag të përvjetorit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj, doli me një deklaratë në faqen zyrtare të BE-së ku shpreh keqardhjen për mungesën e progresit nga ana e Kosovës dhe Serbisë dhe rikujtoi se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.
“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj marrëveshjeje. BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin europian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe seriozë”.
Dy ditë pas kësaj deklarate të Borrellit, kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë u përgjigj se Serbia është shkelësja e marrëveshjes. Madje, Kurti thotë se këtë e bëri edhe zyrtarisht përmes një letre të kryeministres serbe që ia ka dërguar shteteve anëtare.
Muajin e kaluar për këtë letër kishte folur edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit James O’Brien, i cili kishte thënë se “varianti i parë i letrës, që hodhi poshtë (marrëveshjen), është tërhequr”.
“[Procesi i dialogu] ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes. Së paku tetë nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, Serbia i ka shkelur. Dhe, kjo ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila tash do të jetë kryetare e Parlamentit të Serbisë, ku ajo thotë se praktikisht tërhiqen nga Marrëveshja Bazike dhe nga aneksi i zbatimit [i arritur] në Ohër. Marrëveshja Bazike është së paku njohje reciproke, de facto. Ndoshta edhe më shumë, por së paku njohje de facto është. Dhe, ata u tërhoqën sepse thanë ‘kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, kurrë s’do ta pranojmë integritetin territorial të Kosovës dhe as ulësen për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’”.
Kurti akuzoi edhe ndërmjetësit që kanë toleruar Serbinë në këto akte të ndërmarra.
“Ata, praktikisht, u tërhoqën nga marrëveshja pasi që gjatë gjithë vitit e kishin shkelur atë. Problemi që unë kam me ndërmjetësit europianë dhe amerikanë është se e kanë toleruar shkeljen e marrëveshjes, mosrespektimin e marrëveshjes në vazhdimësi që e ka bërë Beogradi përgjatë muajve, javëve e madje edhe ditëve të vitit 2023”, tha Kurti për REL.
Përkundër thirrjes së Borrellit, kryeministri Kurti tha se nuk do të mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa respektim të saj.
“Brukseli dhe Uashingtoni vazhdimisht kanë insistuar në zbatim të marrëveshjes, por si të zbatohet një marrëveshje që nuk respektohet?! Ata e shkelin çdo ditë marrëveshjen. Dhe, dy ngjarjet kryesore që i kemi pasur vitin e kaluar është 24 prilli, kur Kosova e kaloi fazën e parë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, e presidenti i Serbisë, Vuçiq, e mbajti një konferencë në të cilën tha se veriu i Kosovës është i okupuar, nuk e pranon marrëveshjen e kështu me radhë, deri te refuzimi të cilin e bëri Bërnabiq në mes të dhjetorit”.
Përveç mospasjes së progresit në zbatim, Kurti thotë se beson që ka regres.
“Unë besoj që ka edhe hapa prapa, sepse në momentin kur shkelet marrëveshja dhe arbitri, ndërmjetësi nuk e dënon këtë shkelje, ajo është hap prapa. Sepse shkelësi i marrëveshjes do ta marrë këtë si një leje për të vazhduar me avazin e vjetër”.
Duke përmendur luftërat aktuale, kryediplomati Borrell i bëri edhe një thirrje dy shteteve fqinje, duke e theksuar se kjo marrëveshje nënkupton të ardhmen europiane.
“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, tha Borrell në komunikatën e publikuar nga BE