Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, që ka qenë akter i lartë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shkuar në Uashington duke i kërkuar presidentit amerikan Bill Clinton që mos ta njohin UÇK-në.
“Ka pasur përpjekje shumë të mbrapshta të institucioneve të Kosovës që kanë shku në Uashington te presidenti Clinton i kanë kërku që të mos e njohin UÇK-në”, ka thënë tha Haliti në T7. E emrat lidhur me këtë deklaratë i tha gazetari Baton Haxhiu
“Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, ka thënë Haxhiu
E lidhur me këtë ka reaguar sot ashpër publicisti Veton Surroi.
Ai këto deklarata i quan krejtësisht të pavërteta, gjersa thekson se qëndrimi i tij ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator
“Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debutues”, shkruan ai.
Lexoni të plotë postimin e Surroit:
Krejtësisht të pavërteta!
Në takim me presidentin Clinton, delegacioni i Kosovës nuk ka kërkuar mosnjohjen e UÇK-së. Këtë nuk e kanë bërë dr.Ibrahim Rugova, as dr.Fehmi Agani, as dr,Bujar Bukoshi e as unë. Dr.Pajazit Nushi, i përmendur si pjesëmarrës ka qenë në Prishtinë.
Qëndrimi im edhe privat, edhe publik ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator. Disa herë kam deklaruar publikisht se pa pjesëmarrjen e UÇK-së në ekipin negociator nuk është e mundshme marrëveshja për Kosovën. Dr.Rugova, dr. Agani dhe dr.Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi
Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debatues. E bëj edhe për dy anëtarët e vdekur që kanë mundur të japin shpjegime në të gjallë, por një akuzë e këtillë po ngrihet me dhjetëvjetësh pas vdekjes së tyre.