Kurti i hapur për zgjedhje këtë vit, LDK i kryen “diskutimet finale” për listën, Abdixhiku: Këmbanat tona po bien

by Nexhat

“Nuk e kam problem”, tha kryeministri Albin Kurti duke komentuar mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme këtë vit. Ndërkohë, LDK-ja e Lumir Abdixhikut i zhvilloi “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë. “Këmbanat tona po bien!” dhe “Lidhja është gati”, tha kryetari i partisë më të vjetër në vend.

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk e ka mendjen te zgjedhjet, por se nuk e ka problem që ato të mbahen para kohe.

banner

Partitë e kanë shtuar angazhimin, diskursi edhe i qeveritarëve është bërë më elektoral këtë vit që mund të jetë viti i zgjedhjeve të reja

“Prej javës së dytë, ndoshta jo të parë që jam kryeministër, është folur për zgjedhje të parakohshme. Prej javës së dytë, se ndoshta javën e parë ka qenë pranim-dorëzimi i detyrës e kështu me radhë. Unë këtë javë i bëj tre vjet që jam në detyrë. Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por…”, tha Kurti të mërkurën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Nëse do të ketë zgjedhje para kohe apo ato të mbahen të rregullta në fillim të vitit të ardhshëm, për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti tha se është “krejt njësoj”. Por kujtoi se për të shkuar në zgjedhje më herët, duhet të vendosin së bashku me opozitën.

“Unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin… dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty”, tha ai. “Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës po mobilizohen. Ata duan dhe presin zgjedhje të parakohshme, të bindur se pas tyre Kurti s’do të jetë më kryeministër.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje pati takim me kryetarët e degëve të partisë. Diskutimi kryesor, siç njoftoi vetë, ishte organizimi për zgjedhjet nacionale. Madje, ai tha se në këtë takim i patë edhe “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë partia më e vjetër në vend.

“Mobilizimi ynë po merr formë. Në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, shtruam si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listën e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi të demokracisë”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai shkroi se “Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë”.

“Kjo zymtësi ka mbyllur Kosovën. Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën. Këmbanat tona po bien! Veprimi ynë duhet të pasojë tani. Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist – tani dhe me organizim!”, shkroi Abdixhiku.

Zgjedhjet pashmangshëm do të jenë temë e këtij viti. Presidentja Vjosa Osmani në fund të janarit u shpreh e gatshme të diskutojë me partitë politike për këtë

“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, është shprehur Osmani.

Qeveria e ka shpenzuar shumicën e mandatit dhe ndërsa ka mbetur pak kohë për përmbushjen e premtimeve, kryeministri Albin Kurti aq më shumë po flet se si shteti u pasurua dhe u zhvillua me të në krye. Partitë opozitare argumentojnë për të kundërtën dhe shprehen të gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kurti është i vetëdijshëm se koha për t’i përmbushur zotimet po pakohet, ashtu siç ai vetë iu pati thënë ministrave në fund të vitit të kaluar, në një mbledhje të Qeverisë.

Të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, që nuk janë në bllok, kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra se si duhet kundërshtuar Qeveria e udhëhequr prej Albin Kurtit, por të triat shprehen të gatshme për zgjedhje.

Partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre ndërsa Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundit të mandatit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy