Codex Sassoon u ble të mërkurën në Sotheby’s në Nju Jork nga një filantrop amerikan, i cili ia ofroi atë Muzeut të Popullit Hebre në Tel Aviv.
Një Bibël Hebraike mijëvjeçare, më e vjetra e njohur pothuajse e plotë, u ble në ankand të mërkurën më 17 maj në Nju Jork për 38.1 milionë dollarë (35.1 milionë euro) nga një filantrop amerikan, Alfred Moses, i cili ia dhuroi atë Muzeut të popullit hebre në Tel Aviv. U deshën katër minuta oferta, “midis dy blerësve të vendosur”, në selinë qendrore të Sotheby’s në Manhattan, për të përfunduar shitjen me këtë çmim rekord për një libër dorëshkrimi, njoftoi kompania e ankandit. Libri fetar i shitur të mërkurën, i cili mendohet se daton nga shekulli i 10-të pas Krishtit apo edhe nga fundi i shekullit të 9-të, ishte ekspozuar para shitjes në këtë muze që ndodhet në kampusin e Universitetit të Tel Avivit. I quajtur “Codex Sassoon” sipas pronarit të tij më të njohur, David Solomon Sassoon (i cili ka vdekur më 1942), ai lidh njëzet e katër libra të Biblës Hebraike nga rrotullat e famshme të Detit të Vdekur që datojnë në shekullin III para Krishtit.