Apeli i Gjykatës së Posaçme shqyrton sot kërkesën për leje të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për të shkuar në Kuvend.
Një muaj më parë Shkalla e parë e kësaj gjykate e ka refuzuar këtë kërkesë duke arsyetuar se Berisha duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”. Kjo kërkesë ishte rrëzuar më herët edhe nga SPAK.
Avokatët e Berishës argumentojnë se duke qenë se ish-kryeministri është deputet, është e drejtë dhe detyrim kushtetues si person i zgjedhur nga sovrani, për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Prej muajit dhjetor Sali Berisha është në masën e sigurisë “arrest shtëpie” i akuzuar për korrupsion pasiv në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.