Në Krushë të Madhe në Rahovec është përkujtuar masakra e kryer 25 vjet më parë, më 25 mars 1999, e cila la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë.
Në këtë fshat sot po inaugurohet një muze për këtë masakër, si “dëshmi e vendosmërisë sonë kolektive për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare me çdo kusht, për ta mbrojtur dinjitetin tonë e për ta mbrojtur shtetin tonë”. Kështu tha presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore, .
“Sot jemi këtu për ta institucionalizuar kujtesën tonë kolektive, për njërën nga masakrat më të tmerrshme të luftës së vitit ’99. Muzeu i mizorive është një testament i njërit ndër kapitujve më të errët të historisë sonë nga lufta e fundit. Ky muze është në funksion të formësimit të kujtesës sonë kolektive, nderimit të viktimave, e mbi të gjitha, në funksion të thirrjes sonë të përbashkët për drejtësi, e cila ende mungon”, tha Osmani.
Presidentja tha se “brenda këtij muzeu ruhen historitë e secilit nga viktimat, jo vetëm për brezin tonë, por për të gjithë brezat që vijnë pas nesh”
“Zërat e viktimave akoma kumbojnë. Kërkojnë njohjen e vuajtjeve, nderimin dhe kujtimin. Me këtë muze ne po e bëjmë këtë, jo vetëm në përvjetor, por në secilën ditë”, tha ajo.