Angel Di Maria është kërcënuar nga bandat e drogës, ky është lajmi i rëndë që vjen nga Argjentina.
Policia lokale e Santa Fe po lufton prej kohësh me bandat e drogës, të cilat kanë kaluar çdo limit, madje duke kërcënuar edhe një lojtar si Di Maria, idhull i tifozëve argjentinas. Në shtëpinë e tij në Rosario është gjetur një makinë e parkuar, me një mesazh për prindërit e Di Maria-s:
“I thoni djalit tuaj Angel të mos kthehet më në Rosario, në të kundërt do të vrasim një anëtar nga familja juaj. As Pullaro (guvernatori lokal) nuk do ta shpëtojë. Ne nuk hedhim copa letre, por plumba mbi të vdekur”, lexohej ndër të tjera në mesazhin e tyre.
Mesazhi frikësues i referohet një rikthimi të mundshëm të ish-lojtarit të PSG, Real Madrid dhe Juventus në qytetin e tij të lindjes për të luajtur në Rosario Central.
Nuk është hera e parë që bota e krimit argjentinas ka në shënjestër lojtarë.
Vitin e kaluar ishte radha e Lionel Messit – aktualisht në Inter Miami – kur një degë e rrjetit të supermarketeve Nico, e cila i përket familjes së gruas së tij, Antonela Roccuzzo, u sulmua me armë zjarri.