Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë janë forcuar më shumë se asnjëherë më parë, ndërsa ka vazhduar publikimin e të dhënave të punës së tij për tri vjet qeverisje.
Kurti shkroi se në vitin 2023 “Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar”.
“Sot, marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar më shumë se ndonjëherë më parë. Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik. Funksionalizuam dhe përuruam bursën shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, e cila na mundëson të rrisim shumëfish shkëmbimet përmes kësaj burse të përbashkët. Po aq historike ishte edhe kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Bregdeti shqiptar do të mirëpresë sportin e lundrimit në kuadër të këtyre lojërave”, shkroi Kurti.
Prej marrëveshjeve bilaterale që ekzistojnë mes dy vendeve, Kurti tha se “58 u nënshkruan gjatë këtyre tri viteve, e në kuadër të së cilave i kemi mbajtur edhe dy mbledhje fizike të përbashkëta të qeverive tona”
“Thjeshtësimi i procedurave burokratike, lehtëson qasjen e qytetarëve tanë në shërbime por edhe jetën e tyre të përditshme. Pajisja me leje qëndrim tashmë merret më shpejt e me më pak procedura. Kurse sa i përket legalizimit të dokumenteve, kemi hequr mes nesh kërkesat për vulë apostile. Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dy vendet. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar lëvizin më lirë me funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta. E ndërmjet fshatrave ndërkufitare kemi filluar të ndërtojmë rrugë që na lidhin edhe më shumë, edhe më lehtë, për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor”, shkroi Kurti.
Ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, Kurti tha se është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.
“Ajo do të jetë infrastruktura e radhës fizike që i përgjigjet vullnetit, dëshirës dhe nevojës për të qenë me afër. Ndërkohë që hapja e korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, e afron Kosovën me vendet tjera. Shkurtohet koha e udhëtimit dhe ruhet mjedisi sepse zvogëlohet trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova”, shkroi kryeministri.
“Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët”, shtoi ai.