Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u dekorua të premten me çmim shtetëror nga Millorad Dodik, lideri i Republikës Sërpska që është i sanksionuar nga Perëndimi, gjatë vizitës së tij kontroverse në Bosnjë e Hercegovinë.
Dodik ia dorëzoi Orbanit çmimin “Urdhri i Republikës Sërpska” në një ceremoni në Banja Llukë
Takimi i Orbanit është vëzhguar nga afër prej zyrtarëve të Bashkimit Evropian, presidencën e së cilës do ta udhëheqë Orbani nga korriku.
Dodik, një nacionalit i cili ia dha çmimin e njëjtë edhe presidentit rus Vladimir Putin vitin e kaluar, është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të përpjekjeve të tij për ta minuar marrëveshjen për paqe Dejton, e cila i dha fund luftës së Bosnjës në vitet ’90.
Duke e shpjeguar dekoratën për Orbanin, Dodik tha se ky çmim u jepet “miqve të mëdhenj dhe të vërtetë”, dhe se Orbani u shpërblye me të për kontributin e tij në bashkëpunimin e mirë midis Republikës Sërpska dhe Hungarisë.
“Serbët dhe hungarezët duhet të bashkëpunojnë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe kjo nuk drejtohet kurrë kundër një pale të tretë”, tha Dodik.
Orban paralajmëroi “vizita më të shpeshta” në Bosnjë e Hercegovinë, pasi Hungaria e merr presidencën e Bashkimit Evropian, në fillim të korrikut.
“Unë gjithmonë i kam mbështetur serbët në politikën ndërkombëtare, sepse kam fituar bindjen se politika ndërkombëtare është e padrejtë, nuk është një politikë e drejtë. Në Evropë nuk e pranojnë se Evropa ka nevojë për serbët. Pa serbët nuk ka siguri evropiane”, tha Orban
Ai theksoi se e ka një ekip “të veçantë që do të merret me Ballkanin Perëndimor, madje një ekip brenda tij që do të merret me Bosnjë e Hercegovinën”.
Lideri populist hungarez është njëri prej aleatëve kryesorë të Dodikut dhe njëri prej politikanëve të pakët të NATO-s dhe BE-së që ka vullnet të takohet me të.
Hungaria ia ka premtuar Republikës Sërpska 100 milionë euro ndihmë.
Një ditë më parë, Orbani u takua me Borjana Kristos, presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, si dhe me zyrtarët e Presidencës së Bosnjës gjatë vizitës së tij në Sarajevë.
Pas takimit me Kristos, Këshilli i Ministrave tha se të dyja palët u pajtuan se nevojitet rritja e tregtisë mes dy vendeve.
Presidenca tha se Orbani dhe zyrtarët e saj biseduan për bashkëpunimin dypalësh në arsim, kulturë, bujqësi, energji, telekomunikacion dhe fusha të tjera. Ajo shtoi se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur bisedimet me Bosnjën është nxitje për vendin që t’i vazhdojë reformat
Liderët e BE-së u pajtuan më 21 mars për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Bosnjën, por thanë se atë e pret “punë e madhe” për t’u pranuar në bllok. /rel/