Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borell të hënën kishte mbledhur shefat e politikës së jashtme të shteteve anëtare, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Borell ishte kujdesur që të kritikonte Serbinë sa i përket mos-unifikimit të politikes me BE-në sa i përket sanksioneve, derisa kishte kërkuar edhe implementim të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes me Kosovën. Gërvalla nga Brukseli kishte treguar për qëndrimin e Kosovës se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative dhe kishte drejtuar gishtin kah Serbia për mosrespektim të saj.
Të hënën në Bruksel janë mbledhur krerët e diplomacisë të shteteve anëtare. Në këtë takim janë ftuar edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, është kërkuar implementim të plotë dhe të shpejt të marrëveshjes së arritur në Ohër në mes të Kosovë. Borell ka thënë se kjo është rruga e vetme për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.
Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz ka treguar se në këtë takim ka paraqitur qëndrimin konstruktiv të Kosovës sa i përket normalizimit të raporteve me Serbinë, duke thënë se Kosova e konsideron ligjërisht obligative marrëveshjen e Ohrit dhe ka thënë se presin nga Serbia që t’i zbatojë edhe pse sinjalet e dhëna nga Beogradi s’janë të mira
Këtu Gërvalla ka përmendur deklarimet e Vuçiq dhe Daçiq që në vazhdimësi, sipas saj, mohojnë ekzistencën e marrëveshjes.
“Natyrisht se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ishte një prej temave që sfidon rajonin tonë. Paraqita qëndrimin e Kosovës që ne marrëveshjen e lidhur në Bruksel e fazën e implementimit në Ohër, e shohim si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe presim nga Serbia t’i zbatojë, edhe pse sinjalet janë jo të mira nga ajo, pasi keni qenë dëshmitarë vetë të deklarimeve të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit që vazhdimisht refuzojnë zbatimin, e shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, ka thënë Gërvalla, shkruan Express.
Gërvalla ka thënë se ka qenë mirë që janë ftuar ministrat e Ballkanit Perëndimor në këtë takim dhe ka thënë se ka pasur kërkesë që takime të tilla të zhvillohen më shpesh.
Ndërkohë kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ka kritikuar Kosovën duke thënë se ka vite që Kosova s’po e implementon Asociacionin.
“Ata folën për Serbinë që përfaqëson një rrezik për paqen dhe stabilitetin, se ne jemi një faktor përçarës dhe ata janë një faktor paqeje dhe stabiliteti, gjë që duket vërtet, vërtet joreale”, ka thënë Daçiq.
Daçiq ka thënë se s’mund t’i kuptojë këto deklarata nga Kosova kur ka dhjetë vite që kanë kaluar dhe Kosova ende s’e ka implementuar Asociacionin dhe shton se një gjë të tillë s’e përmendin.
Ndërkohë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, i ka bërë një tërheqje veshi Serbisë, për shkak të mos unifikimit të politikave të saj me BE-në sa i përket vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.
Borell ka thënë se Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimet kurajuese të disa prej shteteve të rajonit që plotësisht kanë unifikuar sanksionet kundër Rusisë me politikën e BE-së.
Kur ka folur për këtë, spanjolli ka veçuar Serbinë si vendi i vetëm që s’e ka bërë një gjë të tillë dhe ia ka rikujtuar Beogradit se mirëmbajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën për integrim në Bashkim Evropian.
Për një vërejtje të tillë që Borell duket se e ka thënë edhe brenda takimit, ka folur kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke thënë se Serbia nuk është treguar neuturale sa i përket integritetit territorial të Ukrainës dhe se këtë e ka dëshmuar duke votuar për rezoluta të ndryshme
Ai është munduar të arsyetojë edhe faktin se pse nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë, duke thënë se Serbia “nuk beson që masat e tilla janë të drejta por edhe sepse udhëhiqet nga interesat e veta, pasi integriteti territorial i saj dhe sovraniteti janë në rrezik”.